Anija e re e shpimit të Turqisë së shpejti me kërkime të reja në Detin Mesdhe

“Anija ‘Abdulhamid Han’ do të lundrojë nga porti i Mersinit më 9 gusht”, ka thënë ministri turk Donmez

Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore i  Turqisë, Fatih Donmez tha se anija e re turke e shpimit “Abdulhamid Han” do të niset nga porti i Mersinit më 9 gusht për të filluar kërkimet e hidrokarbureve në Detin Mesdhe, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne do ta dërgojmë këtë anije në misionin e saj të parë nga Mersini më 9 gusht”, tha Donmez në një intervistë televizive.

Në fillim të këtij muaji, Donmez vizitoi Mersinin ku është ankoruar anija, duke thënë se është një nga pesë anijet e gjeneratës së shtatë në botë.

Turqia ka ndërmarrë aktivitete intensive shpimi në ujërat e saj gjatë katër viteve të fundit.

Anija “Abdulhamid Han”, e quajtur sipas një prej sulltanëve osmanë, do t’i bashkohet flotës aktuale të Turqisë prej tre anijesh kërkimore të hidrokarbureve.

Kjo anije gjigante është 238 metra e gjatë dhe 42 metra e gjerë dhe peshon 68 mijë tonë bruto. Thellësia e saj maksimale e shpimit është 12.200 metra. Ajo ka një kullë me lartësi prej 104 metrash dhe një kapacitet prej 200 anëtarë të ekuipazhit.

Kategoritë
BotaLajme