Andrea Pirlo zyrtarisht trajner i klubit turk Fatih Karagümrük

“Ardhja këtu ishte e rëndësishme për mua. Objektivat e klubit ishin tërheqës për mua, ne kemi ambicie të ngjashme”, ka thënë eksperti italian i futbollit Andrea Pirlo, pas nënshkrimit të kontratës njëvjeçare.

Eksperti italian i futbollit Andrea Pirlo ka marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës së ligës së parë turke Fatih Karagümrük, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Stamboll u mbajt një ceremoni në të cilën Pirlo nënshkroi zyrtarisht një kontratë njëvjeçare me klubin e Stambollit, i cili sezonin e kaluar e përfundoi në vendin e tetë në tabelën e Superligës së Türkiye-s.

Pas nënshkrimit të kontratës, Pirlo falënderoi klubin për besimin, duke thënë se shpreson që sezoni të jetë plot sukses. Ai ka theksuar se ka kohë që e ndjek Superligën turke.

“E dija që edhe italianët luajnë në këtë skuadër. Negociatat filluan disa javë më parë. Ardhja këtu ishte e rëndësishme për mua. Objektivat e klubit ishin tërheqës për mua, ne kemi ambicie të ngjashme dhe për këtë ramë dakord”, tha Pirlo.

Ai shtoi se mezi pret momentin kur do të takohet me ekipin dhe do të nisë stërvitjet.

“Mezi pres të filloj punën. Duhet të luash mirë për të fituar, unë do të bëj më të mirën në këtë drejtim”, tha Pirlo.

Fatih Karagümrük është një klub me traditë të gjatë, i themeluar në vitin 1926. Ai u kualifikua në Superligën e Türkiye-s në vitin 2020 pas një pauze prej 36 vitesh.

Pirlo ka luajtur për Interin, Milanin, Brescia-n, Juventusin në një karrierë shumë të pasur të cilës i dha fund në vitin 2017 në klubin amerikan New York City. Ai regjistroi 116 paraqitje për kombëtaren italiane dhe shënoi 13 gola. Si trajner, ai drejtoi Juventusin në sezonin 2020/21.

Kategoritë
Sport