Ambasadori ukrainas në Tiranë: Këto dy vjet njohëm miqtë e vërtetë, Ukraina po lufton për liri

Dy vjet më parë, nën urdhrin e presidentit Putin, trupat ruse nisën të ashtuquajturin “operacion ushtarak special” në Ukrainë.

Mëngjesin e 24 shkurtit 2022, ukrainasit u zgjuan me sirenat që sinjalizonin rrezikun e sulmeve ajrore dhe për t’u përballur me mbi 150 mijë forca ruse që avanconin.

Ambasador i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, tha në një intervistë për Euronews  Albania se 2 vjet pas nisjes së kësaj lufte ukrainasit po luftojë për liri dhe rezistencën e tyre po e mbështet e gjithë bota.

“Këto dy vite luftë na kanë bërë të kuptojmë kush janë ukrainasit dhe të njohim kush janë miqtë e vërtetë, dhe Shqipëria ka treguar gjithashtu se është në krah të Ukrainës. Dy vitet e luftës ishin 2 vite te pikëllimit, të gjakderdhjes, shkatërrimit dhe humbjes së jetëve njerëzore, në radhët e ushtarëve, por edhe civilëve”, tha ai.

Tutje, Shkurov tha se këto ishin dy vitet e shkatërrimit të infrastrukturës civile, pallateve të banimit, shkollave e objekteve fetare.

“Këto vite kanë treguar edhe unitetin e  popullit të Ukrainës. Në mendjen e agresorit ishte pushtimi i Ukrainës në pak ditë, por uniteti bëri që pavarësisht humbjeve të mëdha, agresori rus ishte i detyruar të largohet nga territori i Ukrainës. Sot 26 për qind  e territorit mbetet në okupim, por gjatë këtyre 2 viteve forcat tona të armatosura kanë çliruar 50 për qind të  territorit”,  tha ambasadori Shkurov.

Kategoritë
BotaLajmeRajoni