Aksident rrugor në Shqipëri, 8 të vdekur

Në një aksident rrugor në Shqipëri kanë humbur jetën 8 persona, ndërkohë sipas informacioneve paraprake nga autoritetet, 7 prej të cilëve dyshohet se janë emigrantë të paligjshëm.

Në një njoftim nga Policia e Shqipërisë thuhet se në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar (Qarku Gjirokastër), dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë.

Më tej theksohet se si pasojë e daljes së automjetit nga rruga kanë humbur jetën 8 persona, ku sipas policisë 7 prej tyre “dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra”.

Sipas policisë, në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit, ndërkohë autoritetet nuk kanë publikuar informacione mbi identitetin dhe shtetësinë e emigrantëve të paligjshëm.

Kategoritë
LajmeRajoni