​Përfundon mbledhja e LDK-së, Gashi thotë se janë të gatshëm për zgjedhje

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e kryesisë, një ditë pas humbjes së zgjedhjeve në komunën e Podujevës. Megjithatë, Arben Gashi nga kjo parti, ka thënë se temë e diskutimit në mbledhje ka qenë projektligji për rimëkëmbje ekonomike, i cili sipas tij këtë javë kalon në Kuvendin e Kosovës.

Isa Mustafa mblodhi vartësit e tij në këtë mbledhje vetëm një ditë pasi LDK e humbi komunën me të cilën ka udhëhequr për 20 vjet.

Gashi ka theksuar se do të analizojnë shkaqet e humbjes në Podujevë, që sipas tij, është bërë një shkëputje e elektoratit me LDK-në.

“Nuk ka të bëjë kjo me partitë e PAN-it, sepse gjeneza e Vetëvendosjes është PDK, nëse e këqyrim në këtë formë shumica e partive të tjera kanë dalë edhe prej LDK-së, pra nuk konsiderohet kështu dhe nuk mendoj që është rruga e duhur për me pa politikën. Ajo çka mund të themi në këtë situatë është se kemi një rezultat zgjedhor i cili është konfirmuar dhe për të cilin ne do të marrim përgjegjësitë tona gjithsecili nga këndvështrimi i vet dhe nga hapësira publike dhe politike që e ka”, ka thënë ai.

Gashi ka deklaruar se në këtë mbledhje nuk janë diskutuar çështje të tjera, e lidhur me postin e presidentit të vendit ka thënë se ende nuk janë diskutuar emra të përveçëm.

Ai nuk ka treguar kur Isa Mustafa do të mbledh liderët e partive politike rreth kësaj çështje.

“Nuk ka një kandidat zyrtar për president dhe nuk ka filluar një procedurë për zgjedhjen e presidentit, ajo është vullnet politik I AAK-së, që është e drejtë e tyre, pastaj se si krijohen shumicat dhe si krijohet një minimum kritik për të nominuar një president është çështje tjetër. Nuk kemi ende një minimum kritik për të nominuar një president… Në LDK diskutohet dhe duhet të merret seriozisht, në konsideratë çështja që vendi nuk ka president dhe vendi duhet të ketë president. Për të pasur vendi president duhet të shkojmë në Kuvend me një zgjidhje, që duhet të jenë dy kandidatë”, ka thënë ai.

Ndërsa në rast të mospajtimit, gjë që rrezikon të prodhojë krizë politike e institucionale, dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja, Gashi ka thënë se zgjedhjet janë gjithmonë një mundësi.

“Zgjedhjet janë gjithmonë opsion në demokraci, nuk përjashtohen asnjëherë. Partitë politike duhet gjithmonë të jenë të gatshme për zgjedhje dhe normalisht edhe ne jemi të gatshëm”, ka thënë ai.

Pas mbledhjes, Gashi ka theksuar se nuk duhet të ketë përplasje për përfitime të politikës ditore kur është në diskutim projektligji për rimëkëmbjen ekonomike, i cili sipas tij, duhet të kalojë brenda kësaj jave në Kuvend.

Kategoritë
LajmeVendi