Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, para gazetarëve të hënën u shfaq sfidues e hodhi akuza të rënda ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Përveç standardeve të dyfishta ai shtoi se po i ndihmojnë kryeministrit Albin Kurti të shkelë të gjitha marrëveshjet, ndërsa atë dhe qeverinë e tij duan ta rrëzojnë nga pushteti pasi ky nuk ua pranon këtë qasje. Ai e zgjodhi pikërisht ta theksojë ministren e punëve të jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock si shembull, pas kritikave të saj, transmeton Gazeta Metro.
Presidenti serb Aleksandar Vucic të hënën priti i tëri pompozitet para gazetarëve në Beograd familjen Petrovic nga Hoqa e Madhe në Kosovë, të cilës iu konfiskua vera nga autoritetet kosovare për parregullsi doganore. Ai lëvdoi si këtë familje por edhe serbët lokal në Kosovë të cilët i paraqiti si heronj që po i rezistojnë represionit të autoriteteve kosovare – s’përmendi askund sulmet me armë zjarri ndaj policisë – por u ankua se ca petardë të hedhura po shfrytëzohen si pretekst për t’i njollosur, mes tjerave akuza ndaj Kosovës dhe Perëndimit. Ai mohoi se janë hedhur shok bomba edhe ndaj pjesëtarëve të EULEX.
Ai i reagoi shefes së diplomacisë së Gjermanisë, Annalena Baerbock, për vlerësimin e saj se kërkesa e Serbisë për kthim të trupave serbe në Kosovë si të papranueshme, gjë të cilën e vlerësoi si të padrejtë dhe hipokrite pasi ajo ka refuzuar një kërkesë që ende s’është dorëzuar tek komandanti i KFOR. Ai tutje vazhdoi me teori komploti se i gjithë Perëndimi qenka ngritur për ta rrëzuar nga pushteti.
“Më kurseni, më tregoni se ku shkruan se kanë të drejtë të hyjnë me armë të gjata? Kështu shkatërruan Republika Srpska’në kështu po shkatërrojnë të gjitha që ia dalin vetëm se kështu u konvenon. Ata mendojnë se qenka obligimi ynë i përjetshëm që të shtiremi si budallenj që të mbijetojmë një ditë më gjatë në pushtet. Se kështu ata me paratë e tyre e me fuqinë e tyre të madhe dhe me sulmet e tyre hibride do na rrëzojnë nga pushteti. Po ja më rrëzoni dhe çka?…Ajo u përgjigj në vend të komandantit të KFOR që poashtu nuk mund të përgjigjet pasi ende nuk e marrë atë kërkesë. Ai do ta pranojë atë kërkesë pas dy ditësh, të enjten mbahet mbledhja e qeverisë, ata do ta pranojnë kërkesën të enjten pasdite.”
Ai tutje e theksoi ministren gjermane Baerbock si shembull tutje të këtyre standardeve të dyfishta të Perëndimorëve, si gjoja ajo i ka thënë se qeveria e Prishtinës nuk dëshiron të zbatojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ai shtoi pretendimin se asnjë marrëveshje të deritanishme unuk respektohet si nga pala kosovare dhe ndërmjetësit ndërkombëtar dhe i gjithë faji qenka i tyre dhe synimi i tyre në fakt.
“Por unë tani kam një pyetje esenciale për të gjithë ata. Do t’i lus të më tregojnë, do t’i shpalos para tyre pesë dokumente të rëndësishme e do të pyes ata njerëz se cilin dokument ata duan qe ne të respektojmë? Njërin së paku, i harroni katër të tjerët, njërin na thoni që duhet ne ta respektojmë dhe do ta respektojmë. Ju zgjidheni, ja tavolinë suedeze le të jetë, zgjidheni. E doni Marrëveshjen e Kumanovës, Kartën e OKB’së, Rezolutën 1244, Marrëveshjen e Brukselit, atë të Washington. Na e thoni, çfarë doni ama mos na thoni që asnjërin nuk doni që të respektohet. A e kuptoni ju që ata njerëz asnjërin prej këtyre marrëveshjeve nuk e respektojnë, as Prishtina e as ata që po iu ndihmojnë. A e kuptoni o njerëz që asnjë të vetmin! Unë u trondita se këtë nuk po na e bëjnë vetëm ne, tash e kanë pranuar se këtë ua bëjnë edhe të tjerëve. Ma thoni se çfarë me të vërtetë doni nga ky vend? Kërkuat që të bisedojmë e negociojmë e kaluam aq shumë net pa gjumë për të arritur Marrëveshjen e Brukselit, e tani fshije s’vlen më, së paku ajo pjesa që shqiptarët s’duan ta zbatojnë në vepër, e pastaj të vjen në takim e njëjta zonja Baerbock e të thotë se nuk paska një qeveri në Prishtinë që dëshiron ta themelojë Asociacionin e Komunave Serbe.”
Ai tutje shtjelloi edhe mjetin me të cilin pretendon se kanë synim ta rrëzojnë dhe la të nënkuptohet se nuk e pranon planin franko-gjerman, siç përflitet se në përmbajtje është mos kundërshtimi i Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Pse duhet kjo të më brengos mua? A këndej duhet të ekzistojë një qeveri në Beograd që duhet të lejojë Kosovën në Kombet e Bashkuara. Seriozisht e keni? E ai që nuk pranon, do të shpallet diktator, autokrat, tiran i cili po shtyp njerëzit e terron ekranet e televizioneve e kush e di se çfarë. ”
Vucic vazhdoi tutje duke thumbuar bashkësinë ndërkombëtare duke pretenduar se nuk ia ka zënë për të madhe deklaratën e shefit të diplomacisë së BE’së, Josep Borrell, pasi këtë e kupton si tërheqjes së tij për shkak të sulmeve që i përjetoi pasi shpalli fajtor kryeministrin Albin Kurti si jo konstruktiv në Bruksel.
“Sa për gjasat për paqe që u shtrua pyetja, ta shfrytëzoj rastin sa i përket Borrell nuk dua sot të flas pasi frikësohem se reagimi i tij sot është vetëm pasoja e sulmeve që përjetoi kur e tregoi fajtorin kryesor si jo konstruktiv dhe dështimin e bisedimeve në Bruksel, por kjo është tash çështje politike.”
Ai përsëriti kushtet e tij për heqjen e barrikadave të vendosura në Veri, lirimin e policëve të cilit i quajti të pafajshëm dhe tërheqjen e të tërë policisë së Kosovës nga Veriu. Këto i mbështjelli me fjalë të gjoja një lideri paqedashës.
“Për paqe po i bëjmë të gjitha. Punuam dje gjithë ditën derisa nuk i morëm garancitë, siç iu njoftova mbrëmë, se nuk do të ketë ndërhyrje të përbashkët për t’i rrënuar barrikadat. Ne i lusim përsëri që serbët e pafajshëm t’i lirojnë, dhe të mos dërgojnë më policinë kosovare e posaçërisht jo ata të armatosurit deri në dhëmbë me armë të gjata. Ju kemi treguar si dje e pardje dhe këtë mëngjes se janë parë e për këtë s’kanë asnjë bazë sipas asnjë marrëveshjeje për ta bërë. Ne po i lusim që të respektojnë vetëm kërkesat bazike, ne nuk duam asnjë lloj konflikti. Ne për gjithçka kemi nevojë por kjo nuk na duhet. Dhe dua që këtë ta kuptojnë edhe njerëzit nëpër botë, ashtu siç e di që e kanë kuptuar serbët. ”
Vucic tutje u mundua të zhvlerësojë incidentet e dhunës – sulmet me armë zjarri ndaj policisë së Kosovës nuk i përmendi fare- duke i vlerësuar se qenkan ekzagjeruar për qëllime propagandistike. Mjete piroteknike janë e s’bëjnë dëm dhe mohoi se janë sulmuar nga serbët patrulla e EULEX, madje. Një gjë i udhëzoi serbët në Kosovë, që në asnjë mënyrë të mos rrezikojnë KFOR dhe EULEX.
“Mes të gjithave që na kanë akuzuar tash na qenka edhe se dikush na paska hedhur shok bomba, ky është një mjet piroteknik, që shfrytëzohet për paralajmërim e jo për ta lënduar dikë. E për këtë qenka e nevojshme të bombardojnë jo vetëm serbët por gjithë Serbinë. Pse? Pasi kur u konvenon veriu i Kosovës është pjesë e Serbisë, e kur nuk u konvenon na thonë ‘çka po përziheni ju e çka po pyesni, kjo nuk është fare Serbi. Nuk është territori juaj.’ Por ku iu duhet që dikujt t’ia vënë fajin, na qenka Serbia. Kështu që sido që ta shikoni këto standarde të dyfishta i dinë njerëzit dhe ky pak hidhërim që po e shpreh nganjëherë më besoni është vetëm një pikë në oqean nga ajo që do të mund ta thosha. Mos të flas sa vite do të duheshin që të shpjegohen e demantohen këto të gjitha.”
“Besoj se do të ruajmë paqen, besoj dhe shpresoj, e do të jap gjithçka nga vetja që ashtu të ndodhë. Edhe njëherë i bëj thirrje popullit tonë që në asnjë mënyrë, e di që se nuk e kanë bërë por po e përsëris, mos të rrezikojnë KFOR dhe EULEX, që mos t’u japin municion atyre që do të donin që ata t’i paraqesin si fajtorë për çfarëdo”./gazetametro.net