Max Verstappen shënon fitoren e 41-të në karrierën e tij duke arritur legjendën e F1, Ayrton Senna.
Piloti holandez i Formula 1, Max Verstappen, fitoi dje Çmimin e Madh të Kanadasë duke siguruar fitoren e 100-të të ekipit të tij Red Bull.
Verstappen, kampion i shumëfishtë botëror, arriti cakun i pari në Circuit Gilles-Villeneuve në Montreal, duke përfunduar 70 xhiro për një orë, 33 minuta dhe 58.348 sekonda.
Piloti spanjoll i Aston Martin, Fernando Alonso, ishte 9.57 sekonda pas Verstappen duke përfunduar i dyti.
Piloti britanik i Mercedes, Lewis Hamilton, i cili është kampion i shtatëfishtë i F1, ishte i treti, duke e mbyllur garën 14.168 sekonda prapa fituesit.
Verstappen dominoi në sezonin 2023, duke fituar gjashtë nga tetë gara.
Raundi i gjashtë, Çmimi i Madh i Emilia Romagna, u anulua më parë për shkak të përmbytjeve që goditën veriun e Italisë.
Përveç kësaj, Verstappen shënoi fitoren e tij të 41-të në karrierë duke arritur legjendën e F1, Ayrton Senna, i cili vdiq në vitin 1994 në moshën 34-vjeçare pas një aksidenti gjatë Çmimit të Madh të San Marinos në Imola, Itali.
Gjatë këtij sezoni, skuadra Red Bull gjithashtu ka treguar një performancë perfekte duke realizuar fitore të plotë pasi shoku i skuadrës i Verstappen-it, meksikani Sergio Perez, fitoi dy garat e tjera të Grand Prix.
Gara e radhës, xhiroja e 10-të, do të zhvillohet në Austri më 2 korrik.
Verstappen ka 195 pikë duke kryesuar tabelën e pilotëve 2023. Rivali i tij më i afërt Perez ka 126 pikë.
I treti në renditje, Alonso ka grumbulluar 117 pikë.
Hamilton është në vendin e katërt me 102 pikë dhe Carlos Sainz i Ferrarit është 34 pikë prapa pilotit britanik.
Red Bull është në një epërsi të madhe në renditjen e konstruktorëve të këtij sezoni me 321 pikë.
Mercedes, në vendin e dytë ka 167 pikë. Aston Martin është i treti me 154 pikë.
Ferrari ka 122, dhe Alpine është e pesta me vetëm 44 pikë.













