UEFA ka nisur procedurë disiplinore kundër HNS për racizëm dhe diskriminim në ndeshjen kualifikuese për “EURO 2024” ndërmjet Kroacisë dhe Letonisë të luajtur në Rijekë më 8 shtator.
Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka iniciuar procedura disiplinore ndaj Federatës Kroate të Futbollit (HNS) për shkak të racizmit dhe diskriminimit në ndeshjen kualifikuese për “EURO 2024” ndërmjet Kroacisë dhe Letonisë, e cila u luajt në stadiumin “Rujevica” në Rijekë më 8 shtator, raporton Anadolu.
Vëzhguesi i grupit të anti-diskriminimit Futbolli Kundër Racizmit në Evropë (FARE) i dorëzoi një raport delegatit të ndeshjes ku thuhej se një individ u vërejt në sektorin me tifozë kroatë të cilët shfaqnin flamurin ustash në disa raste dhe për shkak të këtij incidenti, UEFA filloi procedimin disiplinor kundër HNS-së, sipas njoftimit për media të HNS.
“Federata Kroate e Futbollit aktualisht është nën një dënim me kusht për shkak të sjelljes diskriminuese të tifozëve në fund të Ligës së Kombeve ndërsa dënimi i ri mund të aktivizojë dënimin për të luajtur një ndeshje në shtëpi pa publik. Kombëtarja e Kroacisë do ta luajë ndeshjen e parë në shtëpi më 12 tetor në Osijek”, deklaroi sot HNS.
HNS do të marrë të gjitha masat ligjore kundër personave që i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme kombëtares kroate të futbollit dhe reputacionit të Republikës së Kroacisë me sjelljen e tyre të qëllimshme dhe të paligjshme.
Përveç kësaj, HNS do të informojë UEFA-n për të gjitha detajet e përgatitjes së plotë dhe aktiviteteve të sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes, në mënyrë që të parandalohen dhe pamundësohen të gjitha sjelljet e paligjshme, të cilat rezultuan në një atmosferë të shkëlqyer pa asnjë brohoritje të vetme të paligjshme.













