Trajneri i Tiranës: Jemi të përgatitur për ta përballuar ndeshjen me Beşiktaşin

Shehi tha se janë të vetëdijshëm se në këtë ndeshje nuk janë favorit, por shtoi se në një ndeshje futbolli, çdo skuadër ka shanset e veta.

Trajneri i klubit të futbollit Tirana, Orges Shehi, tha se janë të përgatitur për ta përballuar ndeshjen me skuadrën turke Beşiktaş nesër në Istanbul në kuadër të raundit të dytë të kualifikimeve për Ligën e Konferencës të UEFA-s, raporton Anadolu.

“Vijmë pas një raundi të parë të kaluar dhe mendoj që, edhe me atë që shoh në stërvitje, atmosfera është e mirë…Kemi përballë një kundërshtar të fortë nesër dhe mendoj që jemi të përgatitur për ta përballuar këtë ndeshje si nga ana teknike, por edhe nga ana e dozës emocionale që duhet të jetë e duhura përballë kundërshtarit dhe publikut”, tha Shehi në konferencë për media para ndeshjes së nesërme.

Ai tha se janë të vetëdijshëm se në këtë ndeshje nuk janë favorit, por shtoi se në një ndeshje futbolli, çdo skuadër ka shanset e veta.

“Me këtë koncept ne do të futemi nesër për të shfrytëzuar shanset tona”, shtoi Shehi.

Ndryshe, klubi i Kategorisë Superiore të Shqipërisë, Tirana, ka përfunduar stërvitjet para ndeshjes me klubin turk Beşiktaş në Istanbul.

Tirana të enjten do të jetë mysafir i klubit turk Beşiktaş. Ndeshja do të zhvillohet në orën 20:00 në Istanbul.

Klubi që do të kualifikohet për raundin e ardhshëm do të përcaktohet pas ndeshjes kthyese që do të luhet më 3 gusht në Tiranë.

Kategoritë
Sport