“Tradhtoi” Dinamon e Zagrebit me Hajdukun, tifozët nuk e falin lojtarin kroat

Josip Brekalo u rikthye në kampionatin kroat, këtë herë për të veshur fanellën e Hajdukut të Splitit, ku do të qëndrojë në huazim deri në fund të sezonit, pas marrëveshjes së klubit kroat me Fiorentinën që ka edhe pronësinë e kartonit.

Futbollisti 25-vjeçar nga kryeqyteti është rritur te Dinamo e Zagrebit dhe tifozët e kësaj të fundit nuk ia kanë falur aspak vendimin për të luajtur te Hajduku i Splitit në gjysmë ne dytë të sezonit.

E ndërkohë që Brekalo ndiqte nga tribuna ndeshjen mes Hajdukut të Splitit dhe Rijekës, tifozët e Dinamos shkuan pranë shtëpisë së tij në Zagreb dhe shruan nëpër mure mesazhe që dënonin tradhtinë.

“Brekalo, Juda, do mbahesh mend për tradhtinë” shkruhej në një nga muret, ku futbollisti krahasohej pikërisht me Judën, që në bibël tradhtoi Jezu Krishtin.

Përballja me të shkuarën, është parashikuar të luhet më 30 mars, megjithatë Brekalo mund të konsiderohet me fat, pasi sfida do të luhet në Split dhe jo në Zagreb, aty ku do ta kishte shumë të vështirë të luante me vërshëllimat dhe koret e tradhtisë në sfond.

Kategoritë
Sport