Trabzonspor dënohet me gjashtë ndeshje pa tifozë për incidentin në ndeshjen kundër Fenerbahçes

PFDK i shqiptoi dënimet në lidhje me incidentin në fushë pas përfundimit të ndeshjes më 17 mars, kur tifozët e Trabzonsporit u futën në fushën e gjelbër në “Papara Park” dhe sulmuan lojtarët e Fenerbahçes.

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Republikës së Türkiyes (PFDK) ka shqyrtuar incidentin e ndodhur në fushë në ndeshjen e Superligës ndërmjet Trabzonsporit dhe Fenerbahçes dhe ka dënuar skuadrën nga qyteti i Trabzonit me gjashtë ndeshje në shtëpi pa tifozë, si dhe një gjobë prej tre milionë lirash, apo rreth 87 mijë euro, raporton Anadolu.

PFDK i shqiptoi dënimet në lidhje me incidentin në fushë pas përfundimit të ndeshjes më 17 mars në të cilën Fenerbahçe festoi fitoren 3:2 ndaj Trabzonsporit.

Tifozët e Trabzonsporit pas përfundimit të ndeshjes u futën në fushën e gjelbër në “Papara Park” dhe sulmuan lojtarët e Fenerbahçes, të cilët në atë moment po festonin fitoren e tyre në mes të fushës.

Në deklaratën e PFDK-së thuhet se Trabzonspor është gjobitur me 112 mijë lira shtesë për shkelje të udhëzimeve për përdorimin e sistemit të reklamave.

Futbollistët e Fenerbahçes, Jayden Quinn Oosterwolde dhe Irfan Can Eğribayat u dënuan me nga një ndeshje dhe u gjobitën përkatësisht me 52 mijë lira dhe 13 mijë lira për sjellje josportive dhe përleshje me tifozët e ekipit kundërshtar.

Edhe trajneri i Trabzonsporit, Egemen Korkmaz, u gjobit me 13 mijë lira dhe një ndeshje pezullim për sulm ndaj një lojtari të skuadrës kundërshtare.

PFDK-ja vendosi se nuk kishte asnjë bazë për të shqiptuar dënim ndaj futbollistit të Fenerbahçes, Bright Osayi-Samuel, i cili me një reagim të shpejtë mposhti një tifoz kundërshtar që e sulmoi atë.

Zyrtarët e Fenerbahçes, Kürşat Çiftlik dhe Okan Ozkan u pezulluan gjithashtu nga 15 ditë secili për sjellje josportive gjatë incidentit.

Kategoritë
Sport