Për shkak të prishjeve në rrjetin elektrik për shkak të erës së fortë dhe borës në zonat më të larta, 25.220 persona në Serbi kanë mbetur pa energji elektrike. Grumbujt e borës në disa pjesë arrijnë deri në dy metra. Instituti Hidrometeorologjik i këtij vendi ka dhënë një paralajmërim për ditën e sotme dhe nesër.
Departamenti për Situata Emergjente i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar sot se 564 nënstacione janë regjistruar pa energji elektrike, për këtë arsye 25.220 shfrytëzues janë pa energji elektrike. Ekipet e shpërndarjes së energjisë elektrike janë në terren dhe po rregullojnë defektet.
Pjesëtarët e MPB-së janë në terren për të ndihmuar qytetarët, shërbimet emergjente dhe shërbimet tjera, si dhe eliminojnë pasojat e shkaktuara nga bora dhe era. Sasia e borës në komunën e Crna Travës është deri në dy metra.
Instituti Hidrometeorologjik i Serbisë ka paralajmëruar se deri në fund të ditës dhe nesër një erë e fortë dhe me stuhi veriperëndimore do të krijojë rrëshqitje bore në zonat malore. Shpejtësia e erës do të arrijë sot mbi 70 kilometra në orë, ndërsa nesër në mëngjes dhe para mesditës 55 kilometra në orë, ndërsa nesër pasdite dhe mbrëmje pritet një stabilizim gradual i kushteve të motit.
Reshjet e reja të borës do të jenë më pak intensive se në 36 orët e mëparshme, ndaj pritet më pak borë e re, por një erë e fortë dhe me stuhi veriperëndimore do të krijojë rrëshqitje bore.
Deri më 10 shkurt pritet ngrica mesatare dhe e fortë në mëngjes nga minus 12 deri në minus pesë gradë, kurse në male deri në minus 20 gradë celcius.