Pas publikimit të lajmit lidhur me rritjen e faturave për shërbimin e mbledhjes së mbeturinave, KRM “Ekoregjioni” ka dërguar një sqarim lidhur me mënyrën se si bëhet faturimi për bizneset.
Sipas Ekoregjionit, për bizneset që kanë kontejnerë me kapacitet 1.1 m³, çmimi për një zbrazje ka qenë më herët 11.30 euro, ndërsa me çmimoren e re është 15 euro për një zbrazje.
Nga ndërmarrja kanë dhënë si shembull një biznes që më herët kishte tri zbrazje në muaj. Në këtë rast, fatura mujore ishte:
3 zbrazje × 11.30 € = 33.90 €
Ndërsa, me çmimoren e re dhe me një frekuencë prej një zbrazjeje në javë, biznesi realizon katër zbrazje në muaj:
4 zbrazje × 15 € = 60 €
Ekoregjioni thekson se në këtë rast nuk bëhet fjalë thjesht për një rritje prej 77 për qind të çmimit për biznesin, pasi shuma mujore varet edhe nga numri i zbrazjeve të realizuara.
“Rritja nga 11.30 € në 15 € i referohet çmimit të një zbrazjeje, ndërsa shuma mujore varet nga frekuenca e shërbimit”, thuhet në sqarimin e dërguar për redaksinë.
Sipas ndërmarrjes, gjatë sezonit të verës, veçanërisht në muajt korrik dhe gusht, disa biznese mund të kenë nevojë për zbrazje më të shpeshta. Në raste të tilla, sipas Ekoregjionit, mund të realizohen edhe 10 apo më shumë zbrazje në muaj, ndërsa bizneset faturohen në bazë të numrit të zbrazjeve të kryera.
Ekoregjioni ka sqaruar gjithashtu se ndryshimet në tarifa nuk janë përcaktuar në mënyrë të njëanshme nga ndërmarrja, por janë bërë në përputhje me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Prizrenit, të miratuar dhe publikuar nga Komuna e Prizrenit.
Kështu, në rastin konkret që iu dërgua redaksisë, kalimi i faturës nga 33.90 euro në 60 euro lidhet me dy ndryshime: rritjen e çmimit për një zbrazje nga 11.30 në 15 euro, si dhe rritjen e numrit të zbrazjeve mujore nga 3 në 4.
Ekoregjioni ka theksuar se qëllimi i sqarimit është që bizneset dhe qytetarët të kenë një pasqyrë më të qartë se si përcaktohet tarifa dhe si bëhet faturimi për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave./Gazetaere


















