Në Beograd u mbajt sot ceremonia e varrimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiq. Pavarësisht nderimeve më të larta ushtarake dhe pranisë së shumë ministrave, Komisioni Evropian pretendon se ai nuk u varros me nderime shtetërore.
“Kemi dëgjuar se ishte parashikuar një varrim me nderime shtetërore, por kjo nuk ndodhi”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho.
Gazetarët e pyetën se mbi çfarë baze pretendohej se ceremonia nuk ishte shtetërore, kur në përcjelljen mortore ishin përfshirë institucionet shtetërore, ushtria dhe ministrat, ndërsa arkivoli ishte mbuluar me flamurin shtetëror.
Pinho u përgjigj se “i takon Serbisë të vendosë se si do ta organizojë varrimin”.
“Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë”, tha Pinho, pa e komentuar më tej çështjen.
Në këtë mënyrë, Brukseli injoroi plotësisht të shtënat e nderit nga Ushtria e Serbisë, praninë e pesë ministrave, të djalit të presidentit të Serbisë dhe nderimet e tjera që iu bënë gjatë varrimit Mladiqit, të dënuar për krimet më të rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

















