Bosnjë-Hercegovina i redukton në minimum marrëdhëniet me Serbinë: Konakoviq tërheq të gjithë punonjësit e Ambasadës së BeH-së në Beograd

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, njoftoi në një konferencë për media se do ta tërheqë të gjithë personelin e Ambasadës së BeH-së në Beograd, për shkak të sjelljes së zyrtarëve serbë pas vdekjes së kriminelit të luftës Ratko Mladiq.

Konakoviq tha se nga ambasada do të tërhiqen të gjithë punonjësit, përveç ambasadorit dhe konsullit, pasi ai nuk ka kompetencë për tërheqjen e tyre. Ambasadorët dhe konsujt emërohen nga Presidenca e Bosnjë-Hercegovinës.

Detyrat e tyre do të kryhen në të ardhmen nga punonjësit e ambasadave të BeH-së në Mal të Zi dhe Kroaci.

Shefi i diplomacisë së BeH-së e mori këtë vendim pas funeralit të sotëm të Ratko Mladiqit në Beograd, ku morën pjesë shumë zyrtarë nga Serbia dhe nga një pjesë e Bosnjë-Hercegovinës.

Më herët në Serbi ishte organizuar edhe një ceremoni përkujtimore, ndërsa mediat dhe drejtuesit shtetërorë kanë nxitur vazhdimisht glorifikimin e kriminelit dhe të krimeve që ai kreu.

“Kulmi ishte mbrëmë, në ndeshjen e Crvena Zvezdës, me mesazhin ‘Drejt Potoçarit’. Ky është alarmi i fundit”, deklaroi Konakoviq.

Megjithëse nuk ka kompetencë t’i ndërpresë plotësisht marrëdhëniet diplomatike të BeH-së me Serbinë, Konakoviq pret ta tërheqë të gjithë personelin që është nën autoritetin e tij, duke e lënë të vetëm në Beograd ambasadorin Aleksandar Vranjesh.

“Po të mundesha, që sot do t’i ndërprisja marrëdhëniet diplomatike me Serbinë. Brenda kompetencave të mia do të punoj që marrëdhëniet të reduktohen në nivelin më të ulët të mundshëm. Do ta kufizoj dhe zvogëloj çdo komunikim me ta. Do t’i tërheqim të gjithë personat që mundemi, ndërsa shërbimet konsullore do t’i transferojmë në Zagreb dhe Podgoricë”, tha Konakoviq.

Krahas reduktimit në minimum të marrëdhënieve me Serbinë, Konakoviq bëri të dit000ë se kishte përgatitur edhe një numër notash diplomatike lidhur me sjelljen e Serbisë.

“Sot përgatitëm disa drafte dhe po dërgojmë letra me mesazhe të ndryshme. Fillimisht, e pyes publikisht Bashkimin Evropian: ‘A i respektoni vërtet parimet tuaja? A e mbroni atë që na keni kërkuar ta ndjekim?’ Kjo është para së gjithash çështje e politikës së sigurisë. Do të zhvilloj shumë biseda telefonike dhe ndoshta edhe disa vizita, sepse kjo është çështje parësore për Bosnjë-Hercegovinën. BE-ja duhet të tregojë nëse do të tolerojë atë që nuk do ta toleronte kurrë brenda Unionit. Letra drejtuar vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik do të ketë veçantinë e saj. Ata më thanë dy gjëra: diplomacia e Vuçiqit pati sukses sepse për vite me radhë ishte aktive në promovimin e gënjeshtrës, ndërsa diplomacia jonë ishte pasive në promovimin e së vërtetës. Tani do t’ua shpjegojmë se ajo gënjeshtër ishte një mashtrim”, deklaroi Konakoviq.

Kategoritë
LajmeRajoni