“S’kemi pse kapërcejmë Kosovën për t’i dhënë ndihmë Serbisë”, Tifozat Kuq e Zi reagojnë për kandidaturën e Shqipërisë me Serbinë

Tifozët zyrtar të Kombëtares së Shqipërisë, Tifozat Kuq e Zi kanë reaguar edhe zyrtarisht pas lajmit që Shqipëria së bashku me Serbinë janë kandidat për të organizuar Kampionatin Evropian për U-21 në vitin 2027.

Gjatë ditës së sotme, gazetari Blendi Fevziu publikoi një video së bashku me kryetarin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Në atë video, Duka konfirmoi se Shqipëria së bashku me Serinë kanë kandiduar për të organizuar Euro 2027 për U-21.

Ky lajm nuk është pritur aspak mirë nga shqiptarët në përgjithësi, e në veçanti nga tifozët nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina.

Pas lajmit kanë reaguar zyrtarisht edhe “Tifozat Kuq e Zi”, të cilët i kanë kërkuar FSHF-së të mos shesin fytyrën dhe interesat etnike.

Reagimi pa ndërhyrje

Lajmet për organizimin e Kampionatit Evropian të Shpresave (U21) 2027 nga Serbia kanë qarkulluar që në fillim të marsit 2024. Në këto lajme, njoftohet se Serbia aplikon e vetme për të organizuar këtë Evropian. Në të njejtat raportime te lajmit shkruhet se Serbisë “mund t’i kërkohet nga UEFA që ta organizojë kampionatin së bashku me Shqipërinë”.

Serbia, përveç krimeve dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve është dënuar në disa raste nga UEFA për tifozët e saj racistë e të dhunshëm deri në vrasje. Sa për marrëdhëniet e drejtpërdrejta sportive të Shqipërisë me Serbinë pamjet, thirrjet, kriminale për therjen dhe vrasjen e shqiptarëve, goditjet ndaj lojtarëve tanë në 14 tetor 2014, dhe terrori ndaj delegacionit nuk besojmë se janë harruar. Njëlloj vazhdon përhapja e parullave të ngjashme nga tifozët serbë në ndeshje ku nuk janë aspak të perfshirë skuadrat shqiptare. Për asnjë nga këto nuk është kërkuar falje, përkundrazi kane luftuar edhe “sportivisht” kundër nesh deri në shkallët më të larta gjyqesore sportive.

Kategoritë
LajmeSport