Shqipëri, mbahet protestë antiqeveritare

Në nisje të protestës dhe seancës u shënuan disa incidente, pasi disa deputetë të PD-së të përjashtuar më parë nga punimet e parlamentit, nuk u lejuan nga punonjësit e Gardës së Shqipërisë të hyjnë në sallën e seancave plenare të Kuvendit

Në Shqipëri është mbajtur sërish një protestë antiqeveritare, organizuar nga partia opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), dhe me mbështetjen e partive të tjera opozitare, raporton Anadolu.

Protesta e radhës është mbajtur para selisë së Kuvendit të Shqipërisë, gjatë kohës që po zhvillohej seanca parlamentare, me pjesëmarrjen edhe të deputetëve të opozitës, sipas organizatorëve për mbrojtjen e “demokracisë, pluralizmit dhe votës së lirë”.

Gjithashtu partitë e opozitës akuzojnë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, sipas tyre për lidhje dhe korrupsion me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, duke kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe komision hetimor parlamentar mbi pretendimet e tyre.

Ndërkohë, në nisje të protestës dhe seancës u shënuan disa incidente, pasi disa deputetë të PD-së të përjashtuar më parë nga punimet e parlamentit, nuk u lejuan nga punonjësit e Gardës së Shqipërisë të hyjnë në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe deputeti i PD-së, Sali Berisha, në fjalën e tij në protestë tha se do të mbrojnë “interesat e shqiptarëve, të miqve dhe partnerëve tanë”.

“Ju jeni këtu në protestë dhe çdo shqiptar ju mbështet me shpirt e zemër, të gjithë ata që duan që vendi të ketë një opozitë të vërtetë”, tha Berisha duke iu drejtuar protestuesve.

Kujtojmë se në Tiranë gjatë muajit shkurt janë mbajtur edhe disa protesta të tjera antiqeveritare.

Kategoritë
LajmeRajoni