Shqipëri, hapet ekspozita me temë “Udha drejt pavarësisë”

Në ekspozitë shfaqen dokumente, fotografi, si dhe artefakte të ndryshme të nënshkruesve të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe rreth shpalljes së pavarësisë.

Në kuadër të aktiviteteve për 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Tiranë është hapur ekspozita me temë “Udha drejt pavarësisë”, me fotografi dhe dokumente të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes të organizuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë ishin të pranishëm drejtues të institucioneve të ndryshme të Shqipërisë, studiues dhe të ftuar tjerë.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, në fjalën e tij në hapje të ekspozitës theksoi se ekspozita organizohet në kuadër të 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

“Kjo ekspozitë na njeh me rrugëtimin historik të nënshkruesve të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe me artefakte që ilustrojnë këtë ngjarje madhore. Gjithashtu, me këtë rast, do të ekspozohen për publikun edhe disa telegrame që iu dërguan Ismail Qemalit, si kreu i Kuvendit Kombëtar nga disa krahina të ndryshme të Shqipërisë”, tha Koçi.

Koçi theksoi se kjo ekspozitë është fryt i një pune të stafit të Muzeut Historik Kombëtar, i cili sipas tij sjell për herë të parë “hartën e udhëtimit të Ismail Qemalit”, ashtu siç janë një pjesë e fotove dhe telegrameve.

Në ekspozitën e cila organizohet nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë do të ekspozohen për disa ditë dhjetëra dokumente, fotografi, si dhe artefakte të ndryshme të nënshkruesve të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe rreth shpalljes së pavarësisë.

Më 28 nëntor në Shqipëri shënohet Dita Flamurit dhe e Pavarësisë, ku do të organizohen aktivitete dhe ceremoni të ndryshme.

Kategoritë
Kulturë