Shkollat, vatra infeksioni në të gjithë Ballkanin

Institucionet arsimore janë kthyer në një strehë të Covid-19, me një numër infektimesh që shtohen ditë pas dite. Shifrat e mbledhura nga vendet e rajonit të Ballkanit tregojnë për qindra mësues, nxënës dhe personel arsimor të prekur nga koronavirusi. Në shkollat e Kosovës për periudhën 9 deri 13 Nëntor ishin mbartës të virusit 395 mësimdhënës, 240 nxënës, si dhe 35 persona nga personeli arsimor. Ndërsa të shëruarit numëronin një total prej 135 personash.

Nisur nga këto të dhëna, Inspektorati i Arsimit në Kosovë konfirmon se 38 shkolla janë riorganizuar sipas skenarit C, pra mësim online dhe në distancë.

I lartë mbetet edhe numri i arsimtarëve të prekur në shkollat e Maqedonisë së Veriut. Deri në 19 Nëntor 2020 rezultojnë të infektuar më koronavirus 300 mësues dhe 85 nxënës. Po edhe pse me një numër të lartë infektimesh ende nuk është konsideruar mbyllja e ndonjë prej institucioneve arsimore.

Aspak më e favorshme duket situata edhe në sistemin arsimor në Shqipëri. Autoritetet nuk japin të dhëna, por Tv Klan ka siguruar numrin e mësuesve të prekur nga Covid-19 në disa bashki të vendit. Elbasani, Shkodra dhe Durrësi rezultojnë me numrin më të lartë të të infektuarve nëpër shkolla, por çuditërisht në asnjë prej tyre nuk është konsideruar skenari C.

Mësimi online është aplikuar vetëm në disa klasa. Ndërsa në Gjirokastër brenda një harku kohor prej 2 javësh u mbyllen përkohësisht 2 kopshte dhe 2 shkolla 9-vjeçare pas konfirmimit me Covid të mësuesve dhe edukatorëve. Një tjetër shkollë fillore u mbyll këtë të premte edhe në Krujë.

Kategoritë
Shëndetësi

Të ngjajshmet