Shefi i futbollit spanjoll paralajmëron dorëheqjen pas skandalit të puthjes gjatë kampionatit botëror të femrave

Pak më shumë se dy javë më parë, Luis Rubiales mbajti një fjalim sfidues në të cilin vazhdimisht bërtiste se nuk do të hiqte dorë pavarësisht presionit.

Presidenti i suspenduar i Federatës së Futbollit të Spanjës ka njoftuar se do të japë dorëheqjen pas skandalit që filloi kur ai puthi një lojtare femër gjatë festimeve muajin e kaluar me rastin e fitores së skuadrës spanjolle në Kupën e Botës për femra.

Pak më shumë se dy javë më parë, Luis Rubiales mbajti një fjalim sfidues në të cilin vazhdimisht bërtiste se nuk do të hiqte dorë pavarësisht presionit. Në vend që të kërkonte falje për spektaklin, ai këmbënguli që ky veprim ishte me pajtim nga lojtarja që ai puthi, Jennifer Hermoso.

Por që nga fjalimi famëkeq, FIFA e pezulloi atë nga posti i tij, Federata Spanjolle e Futbollit i kërkoi të jepte dorëheqjen, Hermoso ngriti padi penale kundër tij dhe nëna e tij, e cila po protestonte për drejtësi ndaj tij, hoqi dorë nga greva e saj jetëshkurtër e urisë.

Në një deklaratë të lëshuar të dielën vonë, Rubiales shkroi: “Është e qartë se nuk mund të kthehem në postin tim”.

“Këmbëngulja për të qëndruar…nuk do të kontribuojë në ndonjë gjë pozitive për Federatën apo për futbollin spanjoll. Ndër të tjera, kjo është për shkak se individët me autoritet do të më ndalonin të kthehesha”, shtoi ai.

Ndërsa FIFA e ka pezulluar përkohësisht për sjelljen dhe qëndrimin e tij, organi i futbollit mund ta largojë atë përgjithmonë. Qeveria spanjolle është përpjekur gjithashtu ta largojë atë.

Hermoso ka thënë se është ndier “e pambrojtur dhe viktimë e një akti të shtyrë nga impulsi, seksist, i pavend”, për të cilin nuk ishte pajtuar. Ajo gjithashtu ka thënë se Rubiales i ka bërë presion asaj dhe atyre përreth saj që të thoshin se ajo e ka dëshiruar puthjen.

Ndërsa Rubiales po largohet, ai ende këmbëngul se është viktimë e “gënjeshtrave”.

Deklarata e Rubialesit u publikua në të njëjtën kohë kur transmetuesi britanik Piers Morgan publikoi një pamje paraprake të intervistës së tij me Rubialesin. Klipi, i cili gjithashtu njofton dorëheqjen e tij, është hera e parë që ish-shefi i futbollit spanjoll shihet që nga fjalimi i tij i famshëm.

Duke e paraqitur intervistën, që do të publikohet e plotë këtë javë, Morgan thotë se ishte “një nga intervistat më interesante që kam bërë”.

Përveç Rubialesit, javën e kaluar u shkarkua nga posti edhe trajneri i ekipit të femrave, Jorge Vilda.

Kjo vjen pasi Rubiales premtoi se do ta mbante Vildën si trajner edhe për katër vite të tjera dhe do të siguronte që ai të merrte një rritje page për të fituar 500.000 euro në vit.

Pasi Rubiales refuzoi të hiqte dorë ose të kërkonte falje dhe fajësoi “feminizmin e rremë” për “përpjekje për ta vrarë atë”, e gjithë skuadra fituese e Kupës së Botës për femra dhe dhjetëra lojtare të tjera lëshuan një deklaratë duke thënë se refuzojnë të luajnë nën udhëheqjen aktuale të federatës spanjolle.

Pasi u pezullua, Rubiales u zëvendësua nga Pedro Rocha, të cilin disa vëzhgues e kanë cilësuar si krahun e tij të djathtë.

Kategoritë
Sport