Rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s që prekin Superligën shpallen të paligjshme

Gjykata Evropiane e Drejtësisë (CJEU) ka vendosur se rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s për miratimin paraprak të garave të futbollit për klube, siç është Superliga, janë në kundërshtim me ligjin e Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.

“Rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s sipas të cilave çdo projekt i ri i futbollit për klube duhet t’i nënshtrohet miratimit paraprak, siç është Superliga, si dhe ndalimi i klubeve dhe lojtarëve që të luajnë në ato gara janë të paligjshme”, thuhet në një deklaratë nga gjykata.

“Nuk ka kornizë për rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s që siguron se ato rregulla janë transparente, objektive, jo-diskriminuese dhe proporcionale”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

“Në mënyrë të ngjashme, rregullat që i japin FIFA-s dhe UEFA-s kontroll ekskluziv mbi shfrytëzimin komercial të të drejtave që lidhen me ato gara janë të tilla që kufizojnë konkurrencën, duke pasur parasysh rëndësinë e tyre për median, konsumatorët dhe teleshikuesit në Bashkimin Evropian”, shtoi gjykata.

Sipas gjykatës, një kompeticion si projekti i Superligës “nuk duhet domosdoshmërisht të miratohet” dhe rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s për miratimin, kontrollin dhe sanksionet “duhet të konsiderohen si kufizime të pajustifikuara në lirinë e ofrimit të shërbimeve”.

Superliga Evropiane ishte një projekt i garës i propozuar në vitin 2021 nga 12 klube evropiane të futbollit: Arsenal, Chelsea, Liverpool, Manchester City, Manchester United, Tottenham Hotspur, Inter Milan, Juventus, Milan, Atletico Madrid, Barcelona dhe Real Madrid.

Shoqata Ndërkombëtare e Federatës së Futbollit (FIFA) dhe Unioni i Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA) kundërshtuan projektin, duke kërcënuar se do të vendosin sanksione ndaj klubeve dhe lojtarëve që mund të marrin pjesë në Superligë.

Kategoritë
Sport