Rinisin fluturimet esenciale në Aeroportin e Rinasit

Njëzet e katër orë pas bllokimit të fluturimeve në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, si pasojë e një greve të kontrollorëve ajror janë zhbllokuar fluturimet esenciale për ditën e enjte, ndërsa nga dita e premte do të vazhdojnë edhe ato komerciale.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku në një konferencë për medie sqaroi se fluturimet esenciale – fluturimet humanitare, emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake do të nisin ditën e sotme.

“Ju njoftoj që kemi arritur që me një përpjekje shumë të madhe gjatë natës së mbrëmshme të ruajmë sasinë e vaksinave, të konsiderueshme që duhet të vinte dje në Shqipëri por që është bllokuar për shkak të kësaj greve të paligjshme dhe do të vijë sot rreth orës tre pasdite ku më pas do të fillojë shpërndarja ashtu siç ishte planifikuar”, tha Balluku.

Ajo ka ngritur padi për disa prej kontrollorëve, të konsideruar prej saj si “organizatorë të një greve të paligjshme”. Prokuroria e Tiranës nisi veprimet e para, dhe në polici u shoqëruan të paktën 28 kontrollorë.

Të mërkurën, në Shqipëri u bllokuan të gjitha fluturimet në Aeroportin e Rinasit, pasi që më shumë se gjysma e kontrollorëve deklaruan “paaftësinë për të punuar në kushte të stresit” dhe hynë në grevë duke kërkuar kthimin e pagave që kishin para shkurtimeve që u bënë për shkak të pandemisë COVID-19.

Punonjësve u janë ulur të ardhurat gjatë vitit 2020, sepse për shkak të pandemisë, numri i fluturimeve ka rënë për 57 për qind.

Kategoritë
LajmeRajoni