Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, pas dështimit të seancës se jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, në të cilën ishte paraparë që të diskutohej propozimvendimi për lënie në shqyrtim publik të projektdokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033, tha se dokumenti është i përgatitur tash e një vjet e gjysmë, por është bllokuar, sipas tij, vazhdimisht nga opozita, konkretisht nga asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se dokumenti është rezultat i punës së të gjitha drejtorive komunale, institucioneve dhe qytetarëve të ndryshëm, dhe se qëllimi i tij është të hapet për shqyrtim publik, për të përfshirë propozime dhe sugjerime të reja.
“Kemi bërë thirrje që sot të votojmë që ta qesim në diskutim publik planin zhvillimor komunal, një dokument, i cili është i gatshëm tashmë gati një vit e gjysmë e që bllokohet gjatë gjithë kohës prej opozitës, prej VV-së dhe PDK-së. Nuk i kishin asambleistët këtu, po shoh postime që thirren në jotransparencë. Është e kundërta prej asaj që ne po kërkojmë një vit e gjysmë. Një dokument që kanë punuar të gjitha drejtoritë, institucionet, qytetarët e ndryshëm, një dokument që është i gatshëm për diskutim publik që t’i paraqitet publikut të kryeqytetit që ta rishikojmë së bashku që të japim propozime të reja. Ky dokument është i një rëndësie të madhe për kryeqytetin në shumë sfera: në aspektin e edukimit, si zhvillohet edukimi, mësimi në kryeqyet, në aspektin e shëndetit, si shërbehen qytetarët e kryeqytetit, në spektrin e zhvillimit rural”, tha Rama.