Politikani i Partisë së Gjelbër, Volker Beck (62) paraqiti një kallëzim penal në policinë e Mynihut dhe prokurorinë publike kundër futbollistit të Bayernit, Noussair Mazraoui (25) për “mbështetje të një krimi”.
Shkak janë bërë postimet e Mazraoui në rrjetet sociale kur ai mbështeti Palestinën, duke dënuar krimet e izraelitëve dhe duke bërë thirrje për ndihmë për palestinezët.
“Dhe ju nuk mendoni se Allahu nuk shikon se çfarë bëjnë jobesimtarët! Ai vetëm i lë të shkojnë deri në ditën kur sytë e tyre do të mbeten të hapur!”, ka shkruar marokeni, duke cituar një nga vargjet nga Kur’ani ( Sure Ibrahim – Ibrahim 42 ).
Pas atij akti, Mazraoui u detyrua të justifikohej, pasi në Gjermani publiku është kryesisht në anën e Izraelit, por ai nuk kërkoi falje. Madje Bayerni ka bërë një deklaratë në faqen zyrtare ku ka theksuar se janë qartazi në anën e komunitetit hebre në Mynih dhe Izrael.
“Deklarata ‘ndihmoni vëllezërit tanë të shtypur në Palestinë të arrijnë fitoren’ pas masakrës së 7 tetorit mund të kuptohet vetëm si një miratim i veprimeve të Hamasit. Mbështetja e krimeve kundër njerëzimit është një akt i dënueshëm. Edhe pas justifikimeve verbale të Mazraoui, nuk mund të kapërcehet.” Bayerni nuk bëri gjënë e duhur dhe duhej ta kishte ndëshkuar që nuk kërkoi falje dhe shpresoj që gjyqësori do t’i ndërgjegjësojë drejtuesit e klubit për dimensionet e procesit”, tha Beck për Bild.
Pavarësisht gjithçkaje, Mazraoui do të qëndrojë te skuadra e Bayernit dhe pas dëmtimit që pësoi gjatë ndeshjes me kombëtaren marokene, javën e kaluar u rikthye në skuadër.