Platformë elektronike që dëshmon për mospërputhjen në mes të ardhurave dhe pasurisë

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, në Konferencën Vjetore të Prokurorëve tha se vendi i tij më kënaqësi do të mbështesë themelimin e platformës së re elektronike që do të lejojë identifikimin automatik te mospërputhjes në mes të ardhurave dhe pasurisë së dikujt.

“Zvicra ka kënaqësinë të mbështes themelimin e platformës së re elektronike që do të lejojë identifikimin automatik te mospërputhjes në mes të ardhurave dhe pasurisë së dikujt. Kjo platformë do të përdoret për të mbështetur hetimet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, shpëlarjen ë parasë dhe konfiskimin e pasurisë se fituar në mënyrë të jashtëligjshme”, u shpreh Kolly.

Në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, ambasadori zviceran deklaroi se mbështetja e Zvicrës për drejtësinë në Kosovë ka qenë gjithmonë e drejtuar në tri pika kyçe.

“Së pari, mbrojtja dhe përparimi i sundimit të ligjit në Kosovë kërkon institucione të forta, profesionale dhe të pavarura. Së dyti, korrupsioni pengon zhvillimin, ndikon negativisht në tregun e punës dhe anon pasurinë në favor të disave. Së treti, të gjithë në Kosovë duhet të zbatojnë ligjin, askush nuk është mbi ligjin”, theksoi Kolly.

Kategoritë
LajmeVendi