Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konaković, mori pjesë në Konferencën e 19-të Ndërkombëtare “Dubrovnik Forum”, thuhet në njoftimin e kabinetit të tij.
Duke folur në panelin kushtuar sigurisë dhe të ardhmes së Ballkanit Perëndimor, ministri Konaković tha se Bosnja dhe Hercegovina po kalon krizën më serioze që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Ai theksoi se sot nuk bëhet fjalë për një krizë etnike, por para së gjithash për një krizë gjeopolitike të shkaktuar nga ndikimi i fuqishëm rus në proceset politike në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Ai theksoi se rruga evropiane e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe fondet nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian po bllokohen nga politikat separatiste të udhëhequra nga kryetari i SNSD-së, Milorad Dodik, duke vlerësuar se bëhet fjalë për veprim politik të drejtuar drejtpërdrejt kundër së ardhmes evropiane të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Konaković paralajmëroi se Dodik po vepron si bartësi kryesor i ndikimit rus në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke kujtuar se gjatë një viti e gjysmë të fundit ai ka zhvilluar tetë takime zyrtare me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, përfshirë edhe takimin pas paradës ushtarake në Moskë në muajin maj të këtij viti.
Ai theksoi se Dodik publikisht e quan Rusinë aleaten më të rëndësishme të Republikës Sërpska dhe se pikërisht për shkak të këtij ndikimi gjeopolitik ai vazhdimisht bllokon reformat evropiane, institucionet e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe zbatimin e Planit të Rritjes.
Ministri Konaković paralajmëroi se komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë qartë se nuk bëhet fjalë për mosmarrëveshje të zakonshme politike, por për një përpjekje të organizuar për destabilizimin e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe të rajonit përmes politikave separatiste që kanë mbështetje të fuqishme nga Moska.
Duke folur për sfidat e sigurisë, ai tha se çdo përpjekje për shkëputje të njëanshme do të përbënte kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit, duke theksuar se Bosnja dhe Hercegovina ka të drejtën dhe detyrimin ta mbrojë rendin e saj kushtetues dhe integritetin territorial.
Një pjesë të veçantë të fjalimit ministri ia kushtoi procesit të pajtimit në rajon, duke theksuar se pajtimi nuk është i mundur pa pranimin e fakteve të vërtetuara me vendime të gjykatave ndërkombëtare.
Ai theksoi se në një pjesë të rajonit ende mohohet gjenocidi i vërtetuar me vendime gjyqësore në Srebrenicë, lavdërohen kriminelët e luftës dhe u ofrohet mbrojtje personave të dënuar për krimet më të rënda.
Konaković veçanërisht theksoi faktin se Serbia ende refuzon të përballet me të kaluarën, mohon faktet e vërtetuara gjyqësisht për gjenocidin në Srebrenicë dhe u ofron strehim e mbrojtje disa kriminelëve të luftës të dënuar me vendim të formës së prerë.
Si shembull përmendi Novak Đukićin, të dënuar për krimin në Kapija të Tuzlës, i cili prej vitesh ndodhet në Serbi duke shmangur vuajtjen e dënimit të formës së prerë.
Ai theksoi se pajtimi i vërtetë nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e gjenocidit, revizionizmin dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, por vetëm mbi respektimin e së drejtës ndërkombëtare, vendimeve gjyqësore dhe dinjitetit të të gjitha viktimave.
Duke folur për marrëdhëniet rajonale, ministri Konaković theksoi se njëkohësisht ekzistojnë edhe shembuj pozitivë të bashkëpunimit mes Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Republikës së Kroacisë. Si veçanërisht të rëndësishme ai veçoi tre hapa të përbashkët: ndryshimet në Ligjin për të huajt, të cilat hapin mundësinë e lëshimit të vizave të veçanta për shoferët profesionistë; marrëveshjen e re për pikat kufitare; si dhe marrëveshjen ndërshtetërore për ndërtimin e gazsjellësit “Interkoneksioni Jugor” mes Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Republikës së Kroacisë.
Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se nga Republika e Kroacisë ende vijnë mesazhe nga disa grupe politike dhe individë që ndërhyjnë në rendin kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës, përmes ideve për vizatimin e hartave, ndryshimin e rregullimit të brendshëm të vendit dhe kërkesave për krijimin e një entiteti të tretë.
Ai shprehu shpresën se në Zagreb, ashtu si edhe në Beograd, do të mbizotërojnë politika të përgjegjshme të orientuara drejt respektit të ndërsjellë, stabilitetit dhe së ardhmes evropiane të rajonit. Ai theksoi se Bosnja dhe Hercegovina, pikërisht për shkak të këtyre sulmeve ndaj rendit të saj kushtetues, fle me njërin sy hapur, duke mbetur e vendosur ta mbrojë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues.
Ministri vlerësoi se Bosnja dhe Hercegovina sot ka një mundësi historike për të përshpejtuar integrimet evropiane falë Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian dhe procesit të integrimit gradual, por se kjo mundësi do të humbet nëse partnerët ndërkombëtarë nuk i njohin dhe nuk i ndalin politikat destruktive që bllokojnë reformat evropiane.
Në fund të fjalimit, ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë partnerëve ndërkombëtarë që të vazhdojnë të jenë fuqishëm të angazhuar në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në rajon. Ai paralajmëroi se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor varet nga kundërshtimi i vendosur i separatizmit, ndikimit malinj rus, mohimit të gjenocidit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës, si dhe nga mbështetja e plotë për forcat evropiane dhe demokratike që punojnë për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe së ardhmes evropiane të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Në panel, krahas ministrit Konaković, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimović; ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha; ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Republikës së Kroacisë, Gordan Grlić Radman; eurodeputetja Željana Zovko; sekretari i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanović; si dhe e dërguara speciale për Evropën Juglindore dhe zgjerimin e BE-së në Ministrinë për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Urlike Hartmann.
















