Bordi i Arsimit i shtetit amerikan Teksas miratoi një plan sipas të cilit tregimet nga Bibla do të bëhen lexim i detyrueshëm për të gjithë pesë milionë nxënësit e shkollave publike në këtë shtet, gjë që ka shkaktuar debat rreth ndarjes së kishës nga shteti.
Leximet e detyrueshme, të cilat nuk do të hyjnë në fuqi para vitit 2030, përfshijnë fragmente biblike për Adamin dhe Evën, si dhe pjesë nga Libri i Eksodit, ku Zoti i flet Moisiut përmes shkurres që digjej.
Kritikët thonë se kërkesat e reja për lexim, të cilat përfshijnë edhe vepra të Charles Dickensit dhe William Shakespeareit, cenojnë liritë fetare dhe nuk pasqyrojnë mjaftueshëm diversitetin.
Bordi Shtetëror i Arsimit, i dominuar kryesisht nga republikanët, e miratoi masën me nëntë vota pro dhe pesë kundër, ndërsa një anëtar republikan iu bashkua demokratëve në votimin kundër.
“Këtë javë po e kthejmë Biblën në shkolla për herë të parë pas 60 vitesh”, deklaroi Brandon Hall, anëtar republikan i bordit të arsimit.
Mbështetësit mendojnë se nxënësit duhet të mësojnë për traditën judeo-krishtere, për të cilën pretendojnë se ka qenë thelbësore për themelimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lista e re për herë të parë përcakton librat që nxënësit në të gjithë Teksasin do të duhet t’i lexojnë.
Në të gjenden klasikë të letërsisë angleze, si “Shpresa të mëdha” nga Charles Dickens dhe tragjedia e Shakespeareit “Jul Cezari”.
Në listën më të gjerë përfshihet edhe fjalimi i Martin Luther King Jr. “I’ve Been to the Mountain Top”, si dhe fjalimi i ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher, i mbajtur me rastin e vdekjes së presidentit amerikan Ronald Reagan.
Megjithatë, pikërisht tekstet fetare të detyrueshme shkaktuan kundërshtimin më të ashpër nga organizatat arsimore dhe grupet për mbrojtjen e lirive civile.
Sipas programit mësimor, nxënësit do të studiojnë fragmente për Jezusin nga Dhiata e Re dhe do të lexojnë Shëmbëlltyrën e djalit plangprishës.
Felicia Martin, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Texas Freedom Network, një grup progresiv aktivist, deklaroi para votimit se lista e lekturës “e vendos krishterimin në qendër mbi të gjitha fetë dhe traditat e tjera”.
“Është i pranishëm një këndvështrim dukshëm perëndimorocentrik për botën, i cili shpërfill kontributin dhe historinë e popullsisë me ngjyrë, komuniteteve të tjera racore dhe etnike, popujve autoktonë, si dhe feve dhe traditave të tjera që janë thelbësore për një kuptim të plotë të historisë sonë”, tha ajo.
Kritikë të tjerë paralajmëruan se një vendim i tillë mund të cenojë pavarësinë e mësimdhënësve në zgjedhjen e materialeve për nxënësit e tyre.
“Mësimdhënësit në Teksas kanë shprehur shqetësim për gjerësinë e listës dhe mundësinë e humbjes së autonomisë së tyre në vendosjen se cilat vepra janë të përshtatshme dhe relevante për klasat e tyre”, tha për BBC Clare Haefner nga Shoqata e Mësimdhënësve në Klasat e Teksasit.
Edhe pse bordi në versionin përfundimtar e uli numrin e veprave të detyrueshme, kjo shoqatë vlerëson se lista ende është tepër e gjerë.
BBC kërkoi koment nga Bordi Shtetëror i Arsimit i Teksasit.
Vendimi i marrë të premten është shembulli më i fundit i veprimeve të konservatorëve, me të cilat synojnë të forcojnë praninë e vlerave të krishtera në sistemin arsimor të Teksasit.
Vitin e kaluar, Teksasi u bë shteti më i madh amerikan që urdhëroi vendosjen e detyrueshme të Dhjetë Urdhërimeve në klasat mësimore, ligjeve biblike për të cilat disa të krishterë besojnë se Zoti ua dha njerëzve.
Në prill, një gjykatë federale e apelit e konfirmoi ligjin që urdhëron vendosjen e tyre, pas një kundërshtimi ligjor.
Presidenti Donald Trump të premten mori meritat për atë që ai e konsideron si përhapje të vlerave fetare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Feja është kthyer në vendin tonë, më e madhe dhe më e fortë se sa ka qenë për shumë, shumë vite”, tha ai në një ngjarje kushtuar lirive fetare në Washington.
















