Taremi u ankua se FIFA nuk ka arritur të zgjidhë problemet me të cilat skuadra është përballur që nga fillimi i turneut më 11 qershor.
Kapiteni i ekipit kombëtar të futbollit të Iranit, Mehdi Taremi, ka kritikuar organin drejtues botëror të shoqatave të futbollit FIFA dhe presidentin e saj, Gianni Infantino, për mënyrën se si po menaxhohet turneu më i madh i futbollit Kupa e Botës FIFA 2026, duke e cilësuar trajtimin ndaj ekipit të tij si “të padrejtë”.
“Është një Kupë Bote katastrofike, një katastrofë”, u tha Mehdi Taremi gazetarëve pas barazimit të tretë në fazën e grupeve ndaj Egjiptit, duke u ankuar se FIFA nuk ka arritur të zgjidhë problemet me të cilat skuadra është përballur që nga fillimi i turneut më 11 qershor.
“Ata (FIFA) duhet të zgjidhin çdo problem këtu, por fatkeqësisht nuk kanë arritur ta bëjnë këtë që nga fillimi”, tha ai.
“Zoti Infantino erdhi në dhomën tonë të zhveshjes pas ndeshjes së parë dhe tha ‘ky është vetëm fillimi’, por faza e grupeve përfundon nesër dhe ne ende nuk kemi personelin tonë logjistik këtu. Ata nuk kanë viza”, shtoi ai.
Sipas raportit në media, shumë prej anëtarëve të rëndësishëm të stafit mbështetës të ekipit iranian nuk kanë marrë viza, ndërsa ekipet e tjera kanë pasur në dispozicion të gjithë stafin e tyre.
Taremi shprehu gjithashtu pakënaqësinë se pas ndeshjes kundër Egjiptit, ai dhe bashkëlojtarët e tij u detyruan të udhëtonin nga Seattle drejt Tijuanas, një udhëtim shtesë prej disa orësh që ekipet e tjera nuk e kanë pasur.
Skuadra iraniane kishte planifikuar fillimisht të vendosej në Tucson gjatë turneut, por në fund të majit u zhvendos në Meksikë për shkak të tensioneve të vazhdueshme mes SHBA-së dhe Iranit në Lindjen e Mesme.
“Ne e duam popullin e Meksikës. E duam Tijuanan. Por si lojtarë profesionistë, në një garë profesionale, kjo nuk është e drejtë”, tha Taremi.
Ai shtoi se orët shtesë të udhëtimit, të cilave i nënshtrohet vetëm kombëtarja iraniane, i lënë lojtarët pa kohë për pushim dhe rikuperim.
“Pa rikuperim, pa asgjë. Kjo nuk është e drejtë”, theksoi ai.














