Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot paralajmëroi se në javët e ardhshme do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, gjë që do të nënkuptojë edhe shpalljen e zgjedhjeve.
Vuçiq sot iu drejtua të pranishmëve në tubimin e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), me moton “Serbia – një familje”, dhe tha se programi i SNS-së, i cili ishte paralajmëruar të prezantohej sot, megjithatë do të dëgjohet të hënën.
“Do të jeni shumë të kënaqur me masat e reja dhe ju pret edhe një rritje e madhe e pensioneve, madje para janarit, pra llogarisim në nëntor dhe dhjetor, që këtë vit. Para kësaj do të kemi edhe diçka tjetër që do t’ju gëzojë shumë”, tha ai.
Ai gjithashtu theksoi se këto janë ditët dhe javët e tij të fundit në postin e presidentit të shtetit.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se në tubimin para Kuvendit Popullor në Beograd morën pjesë 207 mijë persona.
Në tubim u shpalos edhe një flamur i Serbisë 500 metra i gjatë.















