Poshtërim pas paraqitjes së turpshme në Botëror: Lojtarëve të Uruguait u anulohet avioni privat për kthim në shtëpi

Përfaqësuesja e Uruguait në futboll ka dështuar plotësisht në Kampionatin Botëror të këtij viti, pasi në grup me Spanjën, Kepin e Gjelbër dhe Arabinë Saudite grumbulloi vetëm dy pikë dhe nuk arriti të kualifikohej në fazën tjetër.

Edhe pse pritej që ta kalonte lehtësisht fazën e grupeve, Uruguai barazoi në dy ndeshjet e para kundër Arabisë Saudite (1:1) dhe Kepit të Gjelbër (2:2), ndërsa në xhiron e fundit humbi nga Spanja (0:1), duke e përfunduar kështu pjesëmarrjen në Botërorin që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Gjatë gjithë turneut, ekipi pati probleme të mëdha, ndërsa pothuajse çdo ditë dilnin lajme për përplasje mes lojtarëve dhe përzgjedhësit Marcelo Bielsa, por edhe mes vetë futbollistëve.

Pasi u kompletua paraqitja e turpshme, krahasuar me pritjet që kishte opinioni, lojtarët përjetuan një poshtërim të ri nga federata e tyre.

Megjithëse plani ishte që të gjithë lojtarët të ktheheshin në Uruguai me avion privat, futbollistët do të kthehen në vend ose në shtëpitë e tyre jashtë Uruguait me fluturime komerciale.

Sipas gazetarit uruguaian Martin Charquero, federata ka refuzuar të paguajë fluturim privat për lojtarët për shkak të paraqitjes së turpshme në Botëror, sidomos pasi pritjet ishin të mëdha dhe grupi konsiderohej si “i lehtë”.

Në fund, në mënyrë të papritur, nga ky grup si e dyta u kualifikua për fazën tjetër përfaqësuesja e Kepit të Gjelbër, ndërsa krahas Uruguait, garën e përfundoi edhe Arabia Saudite, po ashtu me dy pikë nga tri ndeshje.

Kategoritë
Sport