Osmani pas takimit me Radevin: Bullgaria i ofron Kosovës mbështetje në përballje me krizën energjetike

Presidentja Vjosa Osmani i cilësoi si të shkëlqyeshme marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, filloi vizitën zyrtare në Bullgari në ftesë të homologut të saj bullgar, Rumen Radev, nga i cili është pritur me nderime të larta shtetërore.

Në njoftimin e dërguar nga Presidenca e Kosovës thuhet se presidentja Osmani i cilësoi si të shkëlqyeshme marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet të dyja vendeve, ndërkaq potencoi se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja e Bullgarisë në procesin e integrimit euroatlantik.

Në njoftim thuhet se presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen bullgare për Kosovën në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe e më pas në NATO, sikurse edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Teksa ka folur për zhvillimet në Kosovë, rajon e më gjerë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës. Ajo ka thënë se me zhvillimet e fundit në veri të vendit, Serbia po tenton ta destabilizojë Kosovën, duke përdorur strukturat e saj ilegale”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, sipas presidentes Osmani, Kosova vazhdon të luajë rol konstruktiv në dialogun me Serbinë, i cili sipas saj duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke.

Presidentja Osmani ka folur me homologun Radev edhe për krizën energjetike me të cilën po përballet Kosova, rajoni dhe Evropa, duke u angazhuar për një përgjigje të përbashkët ndaj sfidave në këtë sektor.

“Bullgaria është shprehur e gatshme ta mbështesë Kosovën në përballje me krizën energjetike dhe të dy palët janë pajtuar që të gjinden modalitetet për bashkëpunim dhe mbështetje nga një grup i përbashkët ndërministror i të dy shteteve”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani në takim me homologun Radev ka theksuar se Kosova ka shënuar përparim në fushën e sundimit të ligjit si një shoqëri multietnike, e cila i trajton në mënyrë afirmative të gjitha komunitetet.

Në takimin e të dy presidentëve, ndër të tjera është diskutuar edhe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, sigurisë, arsimit e shëndetësisë, sikurse edhe në sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

Kategoritë
LajmeRajoni