Një deklaratë rrëqethëse nga miku i ngushtë i Schumacher për gjendjen e tij trishtoi fansat

Kanë kaluar dhjetë vjet që kur Michael Schumacher pësoi lëndime të rrezikshme për jetën në një aksident skijimi dhe lajmet më të fundit rreth pilotit më të madh të të gjitha kohërave të Formula 1 nuk janë premtuese.

Miku i ngushtë Roger Benoit tha se “rasti i Schumacher është i pashpresë”, sipas Daily Mail, duke cituar intervistën e Benoit këtë javë me gazetën zvicerane Blick.

Në intervistën e sipërpërmendur, kur u pyet për informacione specifike për gjendjen e Schumacher, Benoit bëri një deklaratë rrëqethëse që trishtoi të gjithë fansat e tij:

“Ka vetëm një përgjigje për këtë pyetje, dhe kjo është ajo që tha djali i tij Mick në një nga intervistat e tij të rralla, kur tha ‘do të jepja gjithçka për të folur me babin’. Kjo fjali tregon gjithçka se si është tashmë babai i tij më shumë se 3500 ditë. Është një rast i pashpresë”, tha Benoit, miku dhe gazetari i Schumacher që ka ndjekur Formula 1 për shumë vite.

Kujtojmë se shtatë herë kampioni i botës pësoi lëndime të rrezikshme për jetën në një aksident më 29 dhjetor 2013 teksa po bënte ski në Alpet franceze, duke goditur kokën në një shkëmb.

Edhe pse mbante një helmetë skijimi, ai pësoi lëndime të rënda në kokë dhe u dërgua në një spital në Grenoble ku iu nënshtrua një operacioni dhe u vendos në koma të induktuar.

Në këto gati 10 vite, ka pasur të panumërt spekulimet lidhur me gjendjen shëndetësore të gjermanit legjendar, por shumë prej tyre u mohuan nga familja dhe menaxheri i tij në një kohë shumë të shkurtër.

Kategoritë
Sport