Trajneri i Romës, Jose Mourinho, është larguar nga Komiteti i Futbollit i UEFA-s dhe këtë vendim ia ka bërë të ditur presidentit të këtij organi, Zvonimir Boban, i cili përndryshe është bashkëpunëtor i ngushtë i Aleksander Čeferin.
Vendimi i Mourinhos vjen vetëm disa ditë pasi ai u dënua me katër ndeshje nga UEFA për sjelljen e tij pas finales së Ligës së Evropës kundër Sevillas, ku ai sulmoi gjyqtarin anglez Anthony Taylor.
“I nderuar zoti Boban, faleminderit që më ftove të bëhem anëtar i Komitetit të Futbollit të UEFA-s. Megjithatë, me keqardhje ju njoftoj se po jap dorëheqjen në këtë moment. Kushtet në të cilat besoja fort kur u anëtarësova nuk ekzistojnë më dhe Ndihem i detyruar ta marr këtë vendim”, ka shkruar Mourinho, duke shtuar:
“Ju lus me dashamirësi që vendimin tim t’ia përcillni Presidentit Aleksander Çeferin”.
Ideja e Komitetit të Futbollit të UEFA-s ishte të bënte bashkë futbollistë dhe trajnerë aktivë dhe ish-futbollistë, të cilët do të propozonin ide me të cilat do të arrihej përparimi i sportit dhe i vetë organizimit të futbollit.
Sa i përket Mourinhos, ai me siguri do të mbetet trajner i Romës edhe në sezonin e ardhshëm, ndonëse më herët për ardhjen e tij ka shfaqur interes edhe PSG.














