Milatoviq zhgënjeu Serbinë: Mali i Zi nuk do ta tërheqë njohjen e Kosovës

Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka thënë se vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi nuk do të tërhiqet.

Milatoviq tha se nuk është realiste të pritet “çnjohja” e Kosovës.

“Ne mbështesim gjithçka për të cilën bien dakord Beogradi dhe Prishtina dhe besoj se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës do të ishte i rëndësishëm për të gjitha vendet në rajon. Në këtë kuptim, Mali i Zi dëshiron të jetë një fqinj i mirë që do të promovojë marrëdhënie të mira fqinjësore. ”, tha Milatoviq në një intervistë për Nova TV.

Presidenti i ri i Malit të Zi theksoi se dëshiron marrëdhënie sa më të mira me Serbinë dhe në kohën kur ishte ministër i zhvillimit ekonomik këtë e ka vënë gjithmonë në fokus.

“Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor dhe është krejtësisht e natyrshme që vizita ime në Serbi do të jetë pas ftesës së Vuçiqit”, tha ai.

Megjithatë, ai ka deklaruar se vizita e tij e parë do të jetë në Bruksel sepse siç thotë ai, Mali i Zi me të vërtetë po shkon drejt BE-së.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni