Futbollistët e Argjentinës me yllin më të madh Lionel Messi mbërritën në Kinë dhe në aeroportin e Pekinit legjenda e Barcelonës u mirëprit nga disa mijëra tifozë fanatikë.
Më 15 qershor, Gauchos do të luajnë një ndeshje miqësore kundër Australisë në stadiumin e rinovuar të Punëtorëve të Pekinit me një kapacitet prej 68,000 spektatorësh.
Messi mbërriti në Pekin me një avion privat dhe rrugës për në hotel u ndoq nga afër nga një ushtri e madhe fansash të tij.
Do të jetë gjithashtu kthimi i madh i futbollit ndërkombëtar në Kinë, pas tre vitesh kufizime shëndetësore që boshatisën stadiumet dhe çuan në anulimin e shumë garave sportive për shkak të COVID-19.
“Prita nga ora 9 e mëngjesit deri në mesditë”, tha për mediat lokale tifozi i madh i Messit, Liu Yuheng, i veshur me fanellën e Barçës ku Messi la gjurmët më të thella të karrierës së tij.
“Meqenëse nuk mund të blija një biletë për ndeshjen, rezervova një dhomë në të njëjtin hotel me Messin dhe shpresoj ta shoh atë”, shtoi Liu.
Kjo është vizita e shtatë e Messit në vendin më të populluar në botë dhe e para pas vitit 2017.
Pas ndeshjes me Australinë, kampionët aktualë të botës do të kenë një tjetër miqësore ndaj Indonezisë në Xhakartë më 19 të këtij muaji.














