“Mes Shqipërisë dhe Danimarkës ka një histori marrëdhëniesh diplomatike shumë të mira”

Pas ceremonisë së pritjes dhe pas takimit mes tyre, Rama dhe Frederiksen mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe çështje të tjera

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, kryeministrja e parë daneze që viziton Shqipërinë, ndërkohë është pritur me ceremoni nga kryeministri Edi Rama, raporton Anadolu.

Pas ceremonisë së pritjes para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë dhe pas takimit mes tyre, Rama dhe Frederiksen mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe çështje të tjera.

Kryeministri Rama theksoi gjatë konferencës për mediat se mes Shqipërisë dhe Danimarkës ka një histori marrëdhëniesh diplomatike shumë të mira.

“Danimarka ka qenë prezentë në gjithë procesin e transformimit të vendit, qoftë përmes agjencisë së saj të ndihmës, por mbi të gjitha politikisht dhe diplomatikisht një mbështetëse e vendosur e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian. Kriza e luftës, e agresionit rus mbi Ukrainën na bën bashkë përsëri dhe ndajmë absolutisht të njëjtat bindje, të njëjta qëndrime dhe të njëjtat objektiva”, tha Rama.

Ai shtoi se vizita e kryeministres Frederiksen ka një rëndësi të veçantë edhe për marrëdhëniet gjeopolitike mes “Evropës së bashkuar dhe Ballkanit Perëndimor dhe për vetë marrëdhëniet e Danimarkës me Ballkanin Perëndimor”.

Duke folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Rama tha se ky proces dhe bërja e Shqipërisë shtet anëtar të BE-së është për brezat e ardhshëm dhe shtoi se këtë proces duhet ta bëjnë në nivelin më të lartë të mundshëm.

– “Dëshirojmë të ndërtojnë një partneritet edhe më të fortë midis Danimarkës dhe Shqipërisë”

Frederiksen në fjalën e saj në konferencën për mediat theksoi se dëshirojnë të ndërtojnë një partneritet edhe më të fortë midis Danimarkës dhe Shqipërisë.

“Jam shumë e nderuar që jam kryeministrja e parë daneze që vizitoj Shqipërinë. Unë mendoj se ju jeni një nga zërat më të fortë në Evropë kur bëhet fjalë për rëndësinë e një integrimi të plotë midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Evropës dhe kjo bëhet gjithmonë e më tepër e rëndësishme. Shqipëria është një partner mjaft i vlerësuar për Danimarkën dhe ju jeni një aleat mjaft i besuar i NATO-s”, tha ajo, duke iu drejtuar kryeministrit Rama.

Frederiksen tha se përkushtimi i Shqipërisë ndaj vlerave evropianë është i rëndësishëm dhe sipas saj është pjesë mjaft e fortë e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“E di që është një punë mjaft e madhe dhe kërkon shumë reforma, por unë e di që ju keni kapacitetin për ta bërë këtë dhe ne ju mbështesim fort në rrugëtimin tuaj”, tha Frederiksen, mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Kategoritë
BotaLajmeRajoni