Manchester City është kampion i Evropës për herë të parë në histori

Skuadra angleze e futbollit, Manchester City fitoi titullin e saj të parë evropian ndërsa Interi nuk arriti të fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve për herë të katërt në historinë e tij.

Manchester City u bë kampion i Evropës pasi mposhti Interin me rezultatin 1:0 në finalen e Ligës së Kampionëve të UEFA-s në stadiumin Olimpik “Ataturk” në Istanbul, raporton Anadolu.

City pati një rast të madh që në minutën e 6-të kur gjuajtja e Bernardo Silvës kaloi jashtë portës.

Interi pati një rast të mirë në minutën e 25-të pas një gabimi të portierit të City-t, Ederson, por Nicolo Barella ishte i pasaktë. Manchester City pati një rast të shkëlqyer dy minuta më vonë, por Erling Haaland gjuajti direkt në drejtim të portierit të Interit.

Në minutën e 35-të, skuadra angleze ishte pa Kevin De Bruyne, i cili u largua nga fusha për shkak të një dëmtimi dhe u zëvendësua nga Phil Foden. Më pas luhej kryesisht në mesin e fushës, kështu që pjesa e parë u mbyll pa gola.

Sulmuesi i kombëtares së Bosnjë e Hercegovinës, Edin Xheko u zëvendësua në minutën e 57-të dhe në vend të tij u inkuadrua Romelu Lukaku. Vetëm dy minuta më vonë, Interi pati një rast të madh për të shënuar kur Lautaro Martinez u gjend i vetëm përballë portierit Ederson. Ai kishte Lukakun në zonë, por argjentinasi vendosi të gjuante por portieri i Interit bëri një pritje të sigurt.

City kaloi në epërsi në minutën e 68-të ndërsa shënues ishte Rodri pas asistimit të Silvës. Tre minuta më vonë, Interi mund të barazonte. Federico Dimarco tentoi të godiste me kokë, por goditi traversën. Manchester City pati një rast të madh në minutën e 78-të, por gjuajtja e Fodenit u prit nga Onana.

Në minutën e 89-të Interi pati një mundësi të shkëlqyer pasi Lukaku goditi me kokë, por topi goditi gjurin e Edersonit dhe nuk pati asnjë ndryshim në rezultat. Lojtarët e City-t arritën të ruajnë epërsinë deri në fund dhe kështu të fitojnë titullin e UEFA Ligës së Kampionëve.

Skuadra angleze fitoi kështu titullin e parë evropian ndërsa Interi nuk arriti të fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve për herë të katërt në historinë e tij.

Kategoritë
Sport