Lajçak: Rajoni nuk është i vetëm, BE-ja ka një plan për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Evropian mbështet çdo iniciativë që është gjithëpërfshirëse, që nuk përjashton askënd dhe bazohet në standardet evropiane, tha i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, në Budva i pyetur për iniciativën për Ballkanin e Hapur.

“Procesi i formimit të një tregu të përbashkët rajonal duhet të përshpejtohet. Natyrisht, ne duam që edhe iniciativat ekzistuese të funksionojnë”, tha Lajçak në një konferencë për shtyp në prag të Samitit për Demokraci në Evropën Juglindore.
Lajçak vuri në dukje se lufta në Ukrainë e ktheu procesin e zgjerimit në agjendën politike, duke shtuar se kjo ishte një mundësi për vendet e Ballkanit Perëndimor, por se u takon atyre ta përdorin atë, raporton RTCG.

Sipas tij, lufta në Ukrainë ndryshoi gjithçka dhe solli pasoja me të cilat të gjithë duhet të përballen.

“Rajoni nuk është i vetëm. BE-ja është me ju dhe po ju ndihmon të kapërceni pasojat e luftës, qoftë në lidhje me ekonominë apo ndikimin social. Ne kemi një plan se si t’i ndihmojmë vendet e Ballkanit Perëndimor,” Lajçak tha.

Ai tha se lufta në Ukrainë, edhe pse tragjike, e ka rikthyer procesin e zgjerimit në axhendën politike.

“Zgjerimi bazohet në vlerat e përbashkëta dhe është e rëndësishme që vendet e rajonit të demonstrojnë ato vlera të përbashkëta. Rajoni nuk mund të presë, kjo është e qartë për ne,” tha Lajçak.

E vetmja përgjigje, shtoi ai, është përshpejtimi i procesit të integrimit.

“Kjo tragjedi është gjithashtu një mundësi për rajonin, por varet edhe nga shtetet nëse do ta përdorin atë mundësi,” tha Lajçak.

I dërguari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, tha se gjërat ndryshuan pas sulmit rus ndaj Ukrainës.

“Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë jush. Ne duhet të jemi më të guximshëm, të jetojmë vlerat, të mos flasim për to. Askush nuk mund të jetë paqësor ndërsa rusët pushtojnë Ukrainën,” tha Peach.

Ai tha se lufta në Ukrainë kujton rëndësinë e sigurisë kolektive, si dhe sundimin e ligjit.

“Ne e dimë se rusët duan të krijojnë probleme në rajon. Mbretëria e Bashkuar është me ju në udhëtimin tuaj,” tha Peach.

Në Samit marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq, si dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar./Gazetaere

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni