Kurti: Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, mundësi për të përmirësuar infrastrukturën sportive

Kryeministri Kurti tha se Kosova do të presë mbi 5.000 sportistë nga 25 shtete anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, përfshirë 18 vende evropiane, dy aziatike dhe pesë afrikane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se Kosova si nikoqire e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, do të presë mbi 5.000 sportistë nga 25 shtete anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, raporton Anadolu.

Në fillim të seancës së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se javën e kaluar, në Heraklion të Greqisë, Kosova u shpall zyrtarisht si nikoqire e Lojërave të 21-ta Mesdhetare “Prishtina 2030”.

“Me mobilizimin e gjithë kabinetit qeveritar dhe në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, i sollëm mundësinë Republikës së Kosovës që të organizojë ngjarjen më të madhe ndërkombëtare në historinë e vendit tonë. Në partneritet me Shqipërinë, ky event organizohet për herë të parë në një vend pa dalje në det. Republika e Shqipërisë do të na mundësojë përdorimin e bregdetit të Durrësit për sportin e lundrimit, i cili kërkon dalje në det”, tha Kurti.

Ai tha se Kosova do të presë mbi 5.000 sportistë nga 25 shtete anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, përfshirë 18 vende evropiane, dy aziatike dhe pesë afrikane.

Kurti theksoi se garat në 23 sporte do të zhvillohen në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës, Gjakovës, Prizrenit, Ferizajit, Pejës, Drenasit, Skenderajt, Podujevës dhe Durrësit.

Ai tha se përmirësimi dhe ndërtimi i infrastrukturës sportive ka qenë në qendër të aplikimit dhe fitores së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 dhe në konceptin fillestar të këtij projekti janë përfshirë gjithsej 24 objekte sportive.

Kryeministri kosovar tha se do të rinovohen 10 objekte sportive, përfshirë Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, si dhe ndërtimin e strukturave të reja, stadiumin kombëtar, kompleksin e pishinave olimpike, kompleksin e tenisit dhe poligonin e qitjes.

“Organizimi i ngjarjeve të tilla, përveçse është një mundësi për të përmirësuar apo modernizuar infrastrukturën fizike publike si dhe për të rritur vëmendjen e shtetit për përmirësimin e sportit, shërben edhe si një platformë për forcimin e imazhit tonë shtetëror në arenën ndërkombëtare, për zhvillimin ekonomik përmes turizmit sportiv dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Kurti.

Kategoritë
LajmeSportVendi