Kur do të vendoset për lojën Rumani – Kosovë? Flet vëzhguesi i UEFA-s

Ionut Lupescu, vëzhgues teknik i UEFA-s, ka folur për rastin që ndodhi në fund të ndeshjes Rumani – Kosovë, e cila u ndërpre shkaku i tërheqjes së ekipit kosovar pas thirrjeve raciste që i bënë tifozët rumunë.

Vëzhguesi teknik i UEFA-s në Euro 2024 e ka treguar periudhën se kur mund të vendos UEFA për këtë rast, shkruan mediumi rumun “Pro TV”.

Sipas tij, verdikti përfundimtar do të vijë deri në shortin e eliminatoreve të Botërorit 2026, i cili do të hidhet më 13 dhjetor.

I pyetur nëse UEFA mund të vendos që loja të mbyllet me rezultatin momental që ishte, pra 0:0, ai e kundërshtoi një mundësi të tillë.

Kosova dhe Rumania janë duke kërkuar fitore me rezultat zyrtar, 3:0, ndërsa fjalën e fundit do ta japë UEFA.

Ish-futbollisti rumun beson se UEFA do t’i analizojë tërësisht ngjarjet gjatë ndeshjes, duke kërkuar sekuenca dhe video shtesë.

Aktualisht, Kosova i ka 9 pikë në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve, tri më pak se liderja, Rumania.

Dardanët do të përballen sonte me Lituaninë në ndeshjen e fundit të grupit, ndërsa këtë të premte mund ta mësojë emrin e kundërshtarit të “play-offit”.

Kategoritë
LajmeSport