Trump kërcënon Iranin gjatë negociatave, Teherani përgjigjet: “Po të kishin efekt kërcënimet, nuk do të kishin arritur në pikën e dëshpërimit”

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Ghalibaf, iu përgjigj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, të bëra në kohën kur delegacionet e Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po zhvillonin negociata në Zvicër.

Në një reagim në rrjetin social X, zyrtari iranian tha se Irani do t’i përgjigjet çdo kërcënimi.

“Do të ishte më mirë të jenë të kujdesshëm me deklaratat e tyre. Forcat tona të armatosura janë të gatshme të përgjigjen në një mënyrë tjetër. Çfarëdo që të thonë ata, ne jemi ata që do të veprojmë. A nuk mendojnë se, po të kishin pasur ndonjë efekt kërcënimet e tyre, sot nuk do të kishin arritur në pikën e dëshpërimit? Ne nuk i marrim parasysh kërcënimet amerikane”, deklaroi Ghalibaf.

Më herët, Trump kishte shkruar në platformën Truth Social se Irani duhet të ndalojë financimin dhe mbështetjen e Hezbollah në Liban.

“Nëse nuk e bëjnë këtë, do ta godasim sërish Iranin me forcë të madhe, ashtu siç bëmë javën e kaluar, por edhe më fuqishëm”, paralajmëroi presidenti amerikan.

Delegacionet e Iranit dhe SHBA-së përfunduan raundin e parë të bisedimeve në Zvicër gjatë orëve të pasdites, ndërsa burime nga të dyja palët thanë se negociatat do të vazhdojnë pas konsultimeve të brendshme.

Kategoritë
BotaLajme