Kosova fiton 2 medalje të arta në Kampionatin Ballkanik të xhudos

Xhudisti Blin Kuka i cili është anëtarë i klubit “Ippon” nga Peja, në këto gara mposhti tre xhudistë nga Mali i Zi dhe një nga Greqia.

Xhudistët e Kosovës kanë fituar dy medalje të arta në Kampionatin Ballkanik për Kadetë që u mbajt në Krushevë të Maqedonisë së Veriut më 10 dhe 11 qershor.

Në ditën e parë të garave në xhudo, Uvejs Nesimi nga klubi i xhudos “Trepça” fitoi titullin e kampionit në kategorinë deri 50 kilogramë, duke mposhtur xhudistë nga Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Türkiye dhe Mali i Zi.

Ndërkohë të dielën medalje të artë në Maqedoninë e Veriut fitoi edhe xhudisti Blin Kuka. Ai garoi në kategorinë deri 90 kilogramë ndërsa në kategorinë e tij ishin 19 garues. Kuka bëri gjithsej katër fitore për të fituar vendin e parë.

Kuka i cili është anëtarë i klubit “Ippon” nga Peja, në këto gara mposhti tre xhudistë nga Mali i Zi dhe një nga Greqia.

“Plot 4 fitore me ‘Ippon’ paralajmërojnë që po rritet një kampion i ri në ekipin tonë. Javët e fundit vunë në pah një vlerë të re në xhudon kosovare”, shkroi trajneri i xhudos në Kosovë, Driton Kuka pas fitores së xhudistit.

Medalje të argjendtë të shtunën fitoi Jon Veseli. Ai doli nënkampion në kategorinë deri 66 kilogramë. Ndërkohë e bronztë po të shtunën ishte Sidorela Dodaj në kategorinë deri 48 kg.

Në krye të ekipit në Kampionatin Ballkanik ishte kampionia olimpike Majlinda Kelmendi.

Në Kampionatin Ballkanik u paraqitën rreth 400 xhudistë. Pjesë e Federatës Ballkanike të Xhudos janë Shqipëria, Bullgaria, Bosnjë e Hercegovina, Qipro, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Türkiye dhe Kosova.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreSportVendi