Juventus kërcënohet me përjashtim nga Europa, UEFA kërkon 14 mijë faqe për mashtrim

Juventusi u sanksionua së fundmi për mashtrim duke i zbritur 15 pikë në sezonin aktual të Serisë A dhe gjiganti italian mund të dënohet me përjashtim nga garat evropiane, shkruan Gazzetta dello Sport.

Konkretisht, Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) mund ta ndalojë klubin torinez të marrë pjesë në garat evropiane për shkak të sjelljes josportive siç thuhet.
UEFA është në pritje të rezultatit të hetimit për pagat e lojtarëve të Juventusit gjatë pandemisë së koronavirusit, lidhur me akuzat se “klubi paguante lojtarët nën tavolinë”.

Tashmë në vitin 2021, Juventus bëri një marrëveshje me UEFA-n për shkeljen e “fair play”-it financiar dhe u largua me vetëm 3.5 milionë euro gjobë, por Gazzetta pretendon se gjithçka do të rishqyrtohet nëse vërtetohet mashtrimi.
Dënimi për Zonjën e Vjetër tashmë mund të jetë marramendës (përmenden 23 milionë euro), po ashtu ekziston rreziku që klubi të përjashtohet nga garat ndërkombëtare.

Gazzetta shton se çdo vendim eventual do të varet nga një hetim në Itali pas të cilit UEFA do të përkthejë 14,000 dokumentet në një nga gjuhët e saj zyrtare.

E gjithë kjo mund të ndodhë më së shpejti në qershor, kur sezoni i Serisë A do të përfundojë tashmë.

Kategoritë
Sport