Helikopteri u rrëzua teksa ishte gati të ulej në një kompleks sportiv në qytetin Baft, 155 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të provincës, thanë zyrtarët
Një helikopter në të cilin gjendej ministri i sportit i Iranit dhe zyrtarë të tjerë të lartë u rrëzua sot në provincën juglindore Kerman, duke lënë të vdekur një person dhe mbi dhjetë të plagosur, transmeton Anadolu.
Helikopteri u rrëzua teksa ishte gati të ulej në një kompleks sportiv në qytetin Baft, 155 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të provincës, thanë zyrtarët.
Esmail Ahmadi, këshilltar i lartë i ministrit të sportit dhe drejtor i përgjithshëm i ministrisë, humbi jetën në incident, konfirmoi kreu i shërbimeve të urgjencës në Kerman.
Ministri i Sportit Hamid Sajjadi pësoi hemorragji në tru dhe u transferua në një spital lokal, thanë zyrtarët e provincës.
Gjendja e tij besohet të jetë “e paqëndrueshme”, sipas zyrtarëve dhe burimeve lokale.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe në Kerman tha se të paktën 16 persona ishin në bordin e helikopterit kur ai u rrëzua nga një lartësi prej rreth 10 deri në 15 metra.
Të gjithë 12 pasagjerët dhe katër anëtarët e ekuipazhit kanë pësuar lëndime. Gjendja e të paktën dy prej tyre mësohet të jetë kritike.
Shkaku i përplasjes është duke u hetuar, citohet të ketë thënë guvernatori i provincës, Mohammad-Mehdi Fadakar.
Sajjadi, ish-vrapues në distanca të gjata që përfaqësoi Iranin në Lojërat Olimpike Verore në 1992 dhe 1996, u sanksionua në janar nga Bashkimi Evropian në lidhje me protestat disamujore në vend të shkaktuara nga vdekja e një gruaje të re në arrest nga policia.