Hill: BE-ja e ka bërë të qartë se nevojiten më shumë se 48 orë

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill tha se ka pasur një bisedë shumë të mirë me presidentin Aleksandër Vuçiq për bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës që u mbajtën të hënën në Bruksel. Hill vlerësoi “angazhimin konstruktiv” të Vuçiqit, duke shprehur shpresën se do të gjendet një zgjidhje për problemin e targave në Kosovë.

“Kam pasur një bisedë shumë të mirë me presidentin Vuçiq për procesin e Brukselit (…) E inkurajova presidentin Vuçiq që të vazhdojë përfshirjen e tij konstruktive në proces, me shpresën se do të gjejmë një zgjidhje. Në fund, të dyja palët do të duhet të përfshihen, por një qasje konstruktive është ajo e duhura. Kam besim të plotë kur njerëz me përvojë si përfaqësuesi i lartë (BE) Josep Borel dhe Miroslav Lajçak po punojnë për këtë çështje, se mund të arrihet një zgjidhje”, u tha Hill gazetarëve para Pallatit të Serbisë, pas takimit me Presidentin e Serbisë. .

Ai nënvizoi se SHBA-të e vlerësojnë shumë punën që BE-ja po bën në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se personalisht i bën përshtypje që një njeri me reputacionin dhe statusin e Josep Borrell dje u angazhua për tetë orë në detaje të rëndësishme në lidhje me marrëveshje për targat.

“Unë mendoj se BE-ja po bën një punë të shkëlqyer. Ne nuk mund të lejojmë që problemet si tabelat të pengojnë temat më të rëndësishme, qasjen e përgjithshme ndaj dallimeve kryesore”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar mbrëmë kërkesën e ambasadorit amerikan në Kosovë për shtyrjen e vendimit për 48 orë gjobë ndaj pronarëve të automjeteve me targa serbe, por ambasadori Hill mendon se kjo nuk mjafton.

“Unë mendoj se BE-ja e ka bërë të qartë se nevojiten më shumë se 48 orë, se do të donin t’i shtonin kësaj edhe 363 ditë të tjera. Ne (SHBA) jemi plotësisht të sinkronizuar me Bashkimin”, tha ai.

Hill shtoi se nuk do t’i vlerësonte bisedimet e djeshme në Bruksel si “të dështuara” dhe se nevojiten bisedime shtesë dhe se të dyja palët duhet të jenë fleksibël për të arritur një zgjidhje.

Në Bruksel dje nuk ka pasur marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës për targat. Presidenti i Serbisë e pranoi propozimin e BE-së për zgjidhjen e problemit, por kryeministri i Kosovës jo, tha shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Kategoritë
LajmeRajoni