Federata e Futbollit të BeH-së shkarkon trajnerin Faruk Haxhibegiq

Federata e Futbollit të Bosnjë e Hercegovinës njoftoi se me trajnerin Haxhibegiq kanë arritur marrëveshje të dakorduar për ndërprerjen e bashkëpunimit.

Faruk Haxhibegiq nuk është më trajner i përfaqësueses së Bosnjë e Hercegovinës (BeH) në futboll.

“Trajneri i deritanishëm i skuadrës ‘A’ të kombëtares së BeH-së, Faruk Haxhibegiq, nuk do ta mbajë më këtë post në periudhën e ardhshme. Sot në mëngjes është zhvilluar një bisedë mes presidentit të Federatës së Futbollit të BeH-së, Vice Zheljkoviq, drejtorit të kombëtares Zvjezdan Misimoviq dhe Haxhibegiqit dhe është rënë dakord të ndërpritet bashkëpunimi me të”, thuhet në njoftimin zyrtar në faqen e internetit të FF të BeH-së.

Më tej thuhet se “FFBeH falënderon Haxhibegiqin për punën, përpjekjet dhe marrëdhëniet profesionale gjatë angazhimit të tij në ekipin ‘A’ të përfaqësueses së BeH-së dhe i uron shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tij profesionale”.

Haxhibegiq në mandatin e dytë në stolin e përfaqësueses boshnjake të futbollit kaloi vetëm pesë muaj. Më parë ka qenë trajner i BeH-së në vitin 1999. Në mandatin e dytë drejtoi BeH-në në katër ndeshje, duke arritur një fitore dhe tre humbje në ndeshjet kualifikueset për Kampionatin Evropian 2024.

Kategoritë
Sport