Egjipti nënshkruan marrëveshjen e pajtimi me Katarin

Ministria egjiptiane tha se marrëveshja do të konsolidojë aksionin arab përpara sfidave rajonale, si dhe përshëndeti përpjekjet për pajtim midis katërshes arabe dhe Katarit, veçanërisht të Kuvajtit

Egjipti ka nënshkruar një marrëveshje pajtimi me Katarin në samitin e 41-të të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) që u mbajt në Arabinë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Punëve të Jashtme e Egjiptit tha se vendi “vlerëson çdo përpjekje të sinqertë të bërë për të arritur pajtimin midis katërshes arabe (Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini) dhe Katarit”.

Më tej, ministria tha se marrëveshja do të konsolidojë aksionin arab përpara sfidave rajonale, si dhe përshëndeti përpjekjet për pajtim midis katërshes arabe dhe Katarit, veçanërisht të Kuvajtit.

Për herë të parë pas më shumë se tre vite, samiti i GCC-së u ndoq edhe nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad.

Duke e akuzuar Katarin për mbështetje të terrorizmit dhe ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve të tyre, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti në vitin 2017 ndërprenë lidhjet me Katarin.

Doha mohoi akuzat dhe shprehu gatishmëri për dialog për t’i dhënë fund bllokimit.

Megjithatë, dje Kuvajti njoftoi se Arabia Saudite do të rihapë kufijtë tokësor, ajror dhe detar me Katarin në hapin e parë drejt fundit të krizës diplomatike.

Kategoritë
BotaLajme