Kapiteni i Kombëtares së Bosnjës dhe Hercegovinës, Edin Džeko (37), ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Stamboll, ku sot do të përfundojë transferimin te Fenerbahçe.
Përfaqësuesit e klubit turk e kanë pritur në aeroportin e Stambollit dhe e kanë çuar menjëherë në kontroll mjekësor, pas së cilës do të vijojë edhe nënshkrimi zyrtar i kontratës.
Më herët në mëngjes, Fenerbahçe ka konfirmuar në faqen e saj zyrtare se Dzeko do të largohet nga Interi dhe do të vazhdojë karrierën e tij me ta.
“Ylli botëror Edin Dzeko vjen në Stamboll për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore dhe për të nënshkruar kontratë. Pas kësaj do të prezantohet zyrtarisht”, njoftoi Fenerbahçe, duke zgjidhur kështu të gjitha dilemat.
Ai do të nënshkruajë kontratën për dy vite, ndërsa mediat turke më herët shkruanin se do të fitojë 5 milionë euro në vit.
Në media u përmend gjithashtu se ai do të marrë një bonus prej 2 milionë eurosh vetëm për shkak të vendimit të tij për të nënshkruar me klubin turk.
Më parë, Dzeko nuk kishte marrë një ofertë për të vazhduar bashkëpunimin me tashmë ish-klubin e Interit, raportohej për një ofertë dukshëm më të pasur nga Arabia Saudite, por në fund vendimi ra mbi Fenerbahçen.
Sulmuesi me eksperiencë do të jetë një përforcim i madh për Fenerbahçen, e cila në sezonin e ardhshëm do të tentojë të sulmojë titullin e shumëpritur në Turqi, i cili sezonin e kaluar i shkoi rivalëve të hidhur Galatasaray.













