Pavarësisht ndalimit, tifozët e Dinamos kanë udhëtuar mbrëmë drejt Athinës përpara ndeshjes së 3-të të Ligës së Kampionëve kundër AEK-ut dhe një tifoz i klubit grek (29) ka humbur jetën në përleshjet e ndodhura. Pasuan arrestime të shumta dhe huliganët e privuar nga liria presin dënime drastike.
Policia greke theksoi se fajtorë për gjithçka ishin huliganët nga Zagrebi që erdhën në Athinë pavarësisht ndalimit, por gjithashtu theksoi se grupi i sulmuesve dhe atyre që shkaktuan trazirat ishte në të vërtetë shumëkombësh.
Kështu, në mesin e të arrestuarve ishte edhe një shtetas i Bosnje-Hercegovinës, ndërsa 87 kroatë, pesë grekë, një austriak, një shqiptar dhe një gjerman iu hoq liria.
Të 96 të arrestuarit akuzohen për shkelje të ligjit për sportin dhe disa prej tyre do të jenë në telashe më të rënda duke qenë se ngjarja përfundoi me vrasje.
Lajmi i keq për ta është se Greqia vitin e kaluar rriti dënimet maksimale për pjesëmarrje në incidente me tifozët nga gjashtë muaj në pesë vjet burg.
Pas vrasjes së tifozit 19-vjeçar Alkis Kampanos vitin e kaluar, Greqia shtoi dënimet për huliganët. Shtatë persona u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e tij dhe pesë të tjerë u dënuan me më shumë se 19 vjet për pjesëmarrje në vrasje.
Më pas u identifikuan dhe arrestuan të gjithë autorët, ndërsa këtë vit u ndëshkuan në mënyrë rigoroze për të shërbyer si shembull për të tjerët.
Kujtojmë se ndeshja e xhiros së tretë preliminare të Ligës së Kampionëve ndërmjet AEK-ut dhe Dinamos, e planifikuar për sonte, është shtyrë me vendim të UEFA-s, është bërë e ditur sot në faqen zyrtare të klubit të Zagrebit.

















