Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar Serbinë për festën e saj kombëtare dhe në një mesazh drejtuar popullit dhe presidentit Vuçiq, i është referuar marrëdhënieve me Kosovën.
Në një deklaratë në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit, Blinken shpjegoi se Amerika vlerëson partneritetin strategjik me Serbinë dhe i mbështet fuqimisht në rrugën e tyre drejt BE-së.
“Ne jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë për këtë qëllim të rëndësishëm. Përshëndeta angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd,” tha Blinken.
Më pas ai iu referua marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do t’i sjellë siguri dhe prosperitet Serbisë dhe të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Sigurisht që liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për të arritur këto qëllime. Megjithatë, shpërblimet për popullin serb, por edhe për gjithë rajonin, do të jetë e madhe”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.
Së fundi, Blinken i bëri thirrje edhe një herë Serbisë që të mbështesë Ukrainën në situatën aktuale.
“Amerika mirëpriti mesazhet e Serbisë për mbështetjen ndaj Ukrainës në OKB. Ne duhet të jemi të bashkuar në mbështetjen e të drejtës së popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tyre,” përfundoi Antony Blinken.




















